Këngëtarja shqiptare Donna Dafi po vazhdon të tërheqë vëmendje në skenën ndërkombëtare muzikore. Videoklipi i saj më i ri, “Touch Me Like That”, është shpallur “Videoklipi muzikor i javës”, nga platforma Berlin Music Video Awards, duke marrë vlerësime për qasjen artistike, performancën dhe estetikën vizuale.

Sipas artikullit të publikuar në Berlin MVA News, videoklipi është ndërtuar mbi lëvizjen, ritmin dhe atmosferën, me një qasje minimaliste, por të kontrolluar me kujdes nga regjisorët Max Ruslan dhe Arnau Monturiol.


Projekti është realizuar mes Barcelonës dhe Gjermanisë, ndërsa produksioni ka përfshirë mbi 20 persona në fusha të ndryshme si regjia, kamera, ndriçimi, koreografia, stilimi, grimi dhe fotografia. Regjisorët kanë theksuar se fokusi kryesor ka qenë prezenca dhe energjia e Donna Dafit para kamerës, duke lejuar që performanca e saj të udhëheqë të gjithë narrativën vizuale.

“Kur ke një këngë të fortë dhe një artiste me kaq shumë prezencë sa Donna, nuk ka nevojë t’i komplikosh gjërat,” kanë deklaruar regjisorët për Berlin MVA, duke shtuar se synimi ishte që videoklipi të ndihej “i drejtpërdrejtë, fizik dhe i sinqertë”.

Ky vlerësim nga Berlin Music Video Awards përbën një tjetër sukses për artisten shqiptare në arenën ndërkombëtare të muzikës dhe produksionit vizual. /Telegrafi/

- YouTube youtu.be