LAJMI I FUNDIT:

A kemi filluar të vuajmë nga logorea kolektive?

A kemi filluar të vuajmë nga logorea kolektive?

Pa pretenduar të jap një diagnoza të sakta, mund të them se çdoherë që vij në Kosovë, kur takoj njerëz që i kam njohur më parë, vërej një tendencë në rritje të nevojës apo të dëshirës për të folur, gjë që nganjëherë shkon në përmasat e monologut.

Jam rritur në një familje ku më shumë është çmuar kultura e dëgjimit dhe e reflektimit, e më pak ajo e të folurit. Si i vogël dhe i ri më ka rënë të rri shumë në odën e dajallarëve në Drenicë, si dhe në odën tonë mjaft të frekuentuar në qytezën e Shtimes. Mahnitesha me artin e të folurit, me intonacionin… me pushimin mes fjalëve që shoqërohej me thithje llulle apo cigareje të dredhur… ajo kadenca, tempoja që përcillte me përpikëri fluksin adekuat të fjalëve që ndërtonin një rrëfim, një mendim… çdo gjë ishte me kuptim dhe koherencë.


Ajo që e karakterizonte artin e të folurit shqiptar në Kosovë ishte dialogu. Kur fliste njëri, të tjerët dëgjonin me vëmendje dhe kyçeshin në bisedë në momentin e duhur, me një delikatesë dhe elokuencë të jashtëzakonshme. Pleqnarët tanë flisnin pak, s’bërtitnin kurrë dhe thoshin shumë.

Në Shqipëri si duket është zhvilluar një trend tjetër, sidomos gjatë diktaturës. Ndoshta si mekanizëm kompensues (apo edhe mbrojtës) ndaj ndalesave dhe frustrimeve tjera që imponoi sistemi. Shqiptarët e Shqipërisë flisnin shpejtë, shumë më shumë. Ne mendonim se flasin më mirë se ne në Kosovë, “me gramatikë”. Por, në fakt nuk thoshin gjë!

Çka shpjegon rritja gjithnjë e më e madhe e fluksit të fjalëve dhe humbjen e koherencës logjike të mendimit? Cilat janë shkaqet dhe cilat pasojat?

Të dy shoqëritë, në Kosovë e në Shqipëri, kemi pësuar trauma dhe frustrime të mëdha. Njëra nga diktatura e vet e tjetra nga shtypja e gjatë dhe lufta. Psikologë, sociologë dhe psikiatër që vizituan Kosovën e pasluftës, na këshilluan të punohet shumë me fëmijët, me të rinjtë, me gratë dhe me të gjithë ata që kishin përjetuar kalvarin. Na folën edhe për Sindromën e Stresit Postraumatik, që mund të shfaqet edhe pas 10-15-20 vjetëve nëse nuk punojmë si duhet. Tash si duket jemi këmbëkryq të ulur në të. Të dehur nga “liria” e të uritur nga lakmia, menduam se jemi… super mirë!

Rrjedhjet verbale që po e hasim çdo ditë në debate televizive, në seanca parlamentare, në biseda “shkencore”… çdo ditë e më shumë po ngjajnë me logorenë kolektive që fsheh disa çrregullime jo të vogla të popullit.

Por, çka është Logorea?

Fjala rrjedh nga greqishtja e vjetër, nga fjalët “Logos” (Fjalë) dhe “Rhei” (rrjedhje). Pra, nga vet emri kuptojmë se kemi të bëjmë me një vrushkull fjalësh që nuk ndalen dot, apo siç quhet në pezhorativ: “diarre verbale”, “jashtëqitje verbale”… Përndryshe është një nga simptomat e disa çrregullimeve psikiatrike dhe neurologjike që hasen te bipolarët (faza maniake), te skizofrenia, gjatë ekzaltimit emocional dhe anksioz, tek demencat, retardimi mental dhe disa sëmundje tjera. Ajo që e karakterizon logorenë është nevoja permanente për të folur pa ndonjë kuptim, duke degëzuar bisedën në mënyrë patologjike sa që çdo fjalë hap një diskurs tjetër që nuk përkon me temën e parë, duke kaluar kështu “nga gjeli në gomar”! Në të shumtën e rasteve diskursi shoqërohet me banalitete dhe mungesë të koherencës.

Me të tillët është pothuajse i pamundur dialogu dhe është vështirë me ua ndërpre fjalën. Ata dinë të përdorin lojën e fjalëve apo fjalë të shpikura që quhen neologjizma. Personi i prekur nga logorea nuk është i vetëdijshëm për këtë çrregullim, pra është anosognosik dhe është rrethi ku ai jeton që konstatojnë se ka nisur me i rrjedhë truri…

Gara e çmendur e shqiptarëve për t’u mbushur shpejt dhe jashtë mase me materialen e munguar, sikur ka varfëruar tej mase shpirtëroren dhe shoqëroren pa të cilat shpejt e lehtë shndërrohen në një akull Sibiri…