Kaos me biletat e Botërorit 2026: Çmime në rënie dhe dyshime për manipulim nga FIFA

Me vetëm një javë deri në startin e Kupës së Botës 2026, pyetjet rreth tregut të biletave po shtohen, ndërsa situata mbetet e paqartë dhe shpesh kontradiktore.
Edhe pse FIFA kishte premtuar një turne “plotësisht të shitur”, në realitet mijëra bileta ende janë të disponueshme në platforma të ndryshme zyrtare dhe sekondare.
“Shitur plotësisht”, por realiteti tjetër
Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, deklaroi në shkurt se “çdo ndeshje është e shitur”, duke shtuar se vetëm një numër i kufizuar biletash mbahet për shitje të minutës së fundit.
Por raportimet e fundit nga BBC Sport tregojnë një pamje tjetër: për shumë ndeshje veçanërisht ato me ekipe më pak të njohura, ende ka mijëra bileta të papërdorura.

Sipas të dhënave nga platforma analitike TicketData, në një moment të fundit ishin të disponueshme rreth 74,000 bileta për 86 nga 104 ndeshje gjithsej.
Vetëm pak ditë më vonë, kjo shifër ra ndjeshëm, duke krijuar dyshime për lëvizje të pazakonta në treg.
Problemet me çmimet dhe transparencën
Një nga kritikat kryesore ndaj FIFA-s lidhet me mënyrën e shitjes së biletave.
Autoritetet në SHBA, përfshirë prokurorët e New Yorkut dhe New Jerseyt, kanë nisur hetime zyrtare ndaj FIFA-s për dyshime mbi: rritje artificiale të çmimeve, mashtrim të tifozëve dhe mungesë transparence në procesin e blerjes.
Sipas hetimeve, disa tifozë që blenë bileta në kategori të caktuara, përfunduan duke marrë vende me vlerë më të ulët se sa kishin paguar, shpesh më larg fushës.

Një tjetër kritikë është fakti se gjatë fazës së shortit nuk u publikua një strukturë e qartë çmimesh.
Shumë tifozë kuptuan koston reale vetëm në momentin e pagesës.
“Lojë me çmime” dhe ndryshime të vazhdueshme
FIFA përdori një sistem të quajtur “variable pricing”, ku çmimet ndryshojnë gjatë fazave të ndryshme të shitjes, por pa një transparencë të plotë për blerësit.
Në disa raste janë shtuar kategori të reja ulësesh, sidomos në zonat më afër fushës, me çmime deri 50% më të larta, pa qenë të disponueshme në fazën e parë të shortit.
Sipas raportimeve, këto ndryshime në stadiume dhe kategori kanë krijuar konfuzion të madh dhe pakënaqësi te tifozët.
A janë ndeshjet realisht të shitura?
Edhe pse FIFA këmbëngul se stadiumet janë “të shitura”, realiteti duket më kompleks.
Ndeshjet me skuadra të mëdha si Argjentina, Brazili, Anglia apo Spanja pritet të jenë të mbushura pa probleme.
Por ndeshjet më pak tërheqëse si ato me ekipe të vogla ose debutuese, po hasin vështirësi serioze në shitje.

Shembujt përfshijnë takime si:
Bosnja dhe Hercegovina kundër Katarit
Kepi Verde kundër Arabisë Saudite
Kongo kundër Uzbekistanit
Në disa prej tyre, mijëra bileta mbeten ende të pa shitura, edhe në fazat e fundit.
Problemi i çmimeve të larta në ndeshjet e vendeve pritëse
Edhe ndeshjet me pjesëmarrjen e vendeve organizatore SHBA, Meksika dhe Kanadaja nuk janë shitur plotësisht.
Vetëm dy nga nëntë ndeshjet e tyre rezultojnë të shitura zyrtarisht.

Për shembull, ndeshja hapëse mes Meksikës dhe Afrikës së Jugut ende kishte qindra vende të lira, me çmime që arrijnë deri në 2,273 dollarë për biletë.
Sekondarët dhe tregu i ri i spekulimeve
Një tjetër element i rëndësishëm është tregu sekondar i biletave, ku platforma si SeatGeek, StubHub dhe Vivid Seats po shfaqin mijëra lista të reja.
Raportet sugjerojnë se në disa raste, çmimet në këto platforma janë më të ulëta se çmimi zyrtar i FIFA-s, duke ngritur dyshime për shitje me humbje nga blerësit fillestarë ose rishpërndarje të organizuar të inventarit të biletave
FIFA nga ana e saj inkurajon përdorimin e platformës së saj zyrtare të rishitjes, ku mban një komision nga çdo transaksion, por kritikat për mungesë transparence vazhdojnë.

A po tenton FIFA të shmangë boshllëqet në stadiume?
Disa analiza sugjerojnë se FIFA mund të jetë duke zhvendosur bileta në tregje sekondare për të shmangur imazhin e stadiumeve gjysmë bosh, një situatë që do të kishte ndikim të madh në reputacionin e turneut.
Megjithatë, kjo mbetet e pakonfirmuar dhe vetë FIFA nuk ka dhënë përgjigje të qarta për këto pretendime.
Me çmimet që luhaten, disponueshmërinë që ndryshon nga dita në ditë dhe mungesën e transparencës në proces, Kupa e Botës 2026 po përballet me një nga debatet më të mëdha para fillimit të saj: a është vërtet “e shitur plotësisht”, apo thjesht një treg i paqëndrueshëm biletash?
Një gjë është e qartë, situata e biletave mbetet një nga temat më të nxehta para turneut më të madh të futbollit në botë. /Telegrafi/



































