Banorët e ndërtesave në rrugën “Besnik Lajqi” në Pejë kanë shprehur shqetësimin e tyre për praninë e qenve endacakë, duke thënë se lehjet e tyre gjatë natës po ua pamundësojnë pushimin dhe gjumin.

Sipas videove të publikuara në rrjetet sociale, qytetarët thonë se problemi vazhdon pavarësisht se Komuna e Pejës ka ndarë mjete të konsiderueshme financiare për trajtimin e qenve endacakë.


telegrafi.com

Sipas njoftimit, Komuna e Pejës ka nënshkruar një kontratë në vlerë rreth 258 mijë euro, e cila ka hyrë në fuqi më 12 shkurt 2025 dhe do të zgjasë deri më 11 shkurt 2028. Kontrata parasheh trajtimin e mbi 2 mijë qenve endacakë, me qëllim menaxhimin e kësaj problematike në territorin e komunës.

Megjithatë, banorët e zonës thonë se situata në terren mbetet shqetësuese dhe kërkojnë nga institucionet përgjegjëse që të ndërmarrin masa konkrete për zbatimin e kontratës dhe zgjidhjen e problemit.

Ata theksojnë se lehjet e vazhdueshme gjatë orëve të natës po ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së tyre, duke kërkuar reagim sa më të shpejtë nga Komuna e Pejës dhe institucionet kompetente. /Telegrafi/