Kampioni i Kosovës, nëpërmjet Suboticës e Hungarisë kërkon azil në Evropë

Njëri ndër ta është edhe Shemesi Osmani, i cili në edicionin e kaluar e fitoi titullin e kampionit me ekipin vushtrrias, prej të cilit nuk mori rrogë gati një vit. Ai tashmë ka mbërri në Gjermani, pasi futbolli kosovar nuk i afroi asgjë hiq.
“E kam një shok këtu që jemi rritur së bashku, dhe i cili jeton në Gjermani tani, i ka edhe letrat. Unë jam nisur si krejt shqiptarët, deri në Hungari, e aty ka dalë më ka marrë ky shoku. Tash, po pres”, ka thënë Osmani për Tribunën.
“Kam hequr shumë. Nuk është lehtë, siç e bëjnë shqiptarët. Jam nisur me gruan dhe djalin. Kam bërë tri ditë për të mbërritur në Gjermani”, theksoi ai.
““Për mua ka qenë shumë shumë vështirë për ta marrë një vendim të tillë. Por, për hatër të së ardhmes së fëmijëve të mi, familjes, kam sakrifikuar sepse futbolli i Kosovës nuk është duke u bërë më mirë, por vetëm duke shkuar teposhtë nga ana financiare. Nëse mundem, do ta provoj fatin edhe këtu, pastaj ta shohim”, ka shtuar Osmani.
Ai thotë se do të kryejë ndonjë punë tjetër në Gjermani. “Kismet, do të tentojë të provohem diku, me ndonjë ekip. Ka mundësi të fillojë edhe të punojë ndokund”, pohoi ai.





















































