Rreth 150 ekipe, qindra futbollistë, ndeshje të zjarrta, emocione pa fund dhe një finale e denjë për një turne madhështor – “Prishtina Tournament” për nëntë ditë e shndërroi sheshin “Zahir Pajaziti” në kryeqytetin e futbollit të Kosovës.

Nga 1 deri më 9 gusht, sheshi “Zahir Pajaziti” në kryeqytet u shndërrua në një arenë të vërtetë sportive, ku talenti, pasioni, spektakli dhe emocionet u ndërthurën në një prej ngjarjeve më të veçanta të futbollit veror në kryeqytet.


“Prishtina Tournament” mblodhi rreth 150 ekipe të të gjitha kategorive, duke u dhënë mundësinë të garojnë fëmijëve të grupmoshave të ndryshme, ekipeve të femrave, personave me nevoja të veçanta, veteranëve dhe seniorëve.

Çdo ditë solli histori të reja, gola, duartrokitje, festime dhe momente që do të mbahen gjatë në mendjen e të pranishmëve.

Por, siç edhe i ka hije një turneu të madh, kulmi erdhi në ditën e fundit, kur gjithçka u përmbyll me një finale spektakolare të seniorëve dhe me shpalljen e kampionit të “Prishtina Tournament”.


Të vegjlit hapën siparin e triumfeve

Spektakli nisi nga grupmoshat më të reja, ku fëmijët dëshmuan se talenti dhe pasioni për futbollin nuk njohin moshë.

Në kategorinë U9, trofeun e kampionit e ngriti Keku-u, pasi në finalen e madhe arriti të mposhtë FC Sallahun.

Ishte një finale plot emocione, ku të rinjtë dhanë gjithçka në fushë për të siguruar medaljet dhe trofeun, duke treguar se futbolli i së ardhmes në Prishtinë dhe Kosovë ka shumë arsye për të buzëqeshur.

Në kategorinë U10, triumfi i takoi Ramiz Sadikut. Skuadra prishtinase zhvilloi një turne të jashtëzakonshëm dhe në ndeshjen vendimtare arriti të mposhtë 2 Korrikun, duke siguruar trofeun e kampionit.

Ramiz Sadiku vazhdoi dominimin edhe në kategorinë U11, ku edhe një herë doli në krye. Këtë herë, në finalen e madhe, u përball me Urbanon, të cilën e mposhti për të siguruar një tjetër trofe.

Në kategorinë U13, radha ishte për 2 Korrikun. Skuadra zhvilloi një rrugëtim të jashtëzakonshëm drejt trofeut, duke kaluar me sukses fillimisht çerekfinalen, më pas gjysmëfinalen dhe në fund edhe finalen. Një rrugëtim me tri pengesa të mëdha dhe tri fitore që e dërguan 2 Korrikun në majën e kësaj grupmoshe.

Në kategorinë U15, sërish ishte Ramiz Sadiku ai që doli kampion. Skuadra e mbylli turneun me një tjetër paraqitje të fuqishme, duke mposhtur Urbanon në finalen e kësaj kategorie.

Kështu, Ramiz Sadiku u shndërrua në një prej skuadrave më të suksesshme të turneut, duke dëshmuar organizim, cilësi dhe një brez të talentuar futbollistësh.

Një ndeshje që fitoi zemrat e të gjithëve

“Prishtina Tournament” nuk ishte vetëm për trofetë dhe rezultatet. Në programin e ditës finale, një vend të veçantë kishte edhe ndeshja e personave me nevoja të veçanta.

Dhe ata nuk zhgënjyen. Përkundrazi, dhuruan një spektakël të jashtëzakonshëm, duke marrë në këmbim atë që është më e bukura në sport – dashurinë e publikut.

Çdo aksion u përcoll me duartrokitje, çdo gol me festë dhe çdo moment me ovacione të fuqishme nga të pranishmit.

Në atë ndeshje, rezultati mbeti në plan të dytë. Fitues ishte futbolli, përfshirja dhe mesazhi se sporti është për të gjithë.

Veteranët rikthejnë në skenë emrat e mëdhenj të futbollit

Spektakli vazhdoi edhe me një ndeshje të veçantë mes veteranëve të futbollit.

Dy vëllezërit Synaj Keçi dhe Suadi Keçi kishin formuar nga një ekip, duke sjellë në fushë një varg emrash të njohur të futbollit.

Në këtë përballje u panë emra si Muharrem Sahiti, Isa Sadriu, Muhamet Dragusha, Arsim Plepolli, Avdyl Bellopoja dhe Mehmet Kurda, duke rikthyer në fushë një pjesë të bukur të historisë së futbollit.

Ishte një ndeshje ku nostalgjia u përzie me spektaklin.

Tifozët patën mundësinë të shihnin sërish në aksion emra që për vite me radhë kanë lënë gjurmë në futboll, ndërsa në fund triumfi i takoi ekipit të Synaj Keçit.

Por, përtej rezultatit, ajo ndeshje ishte një homazh për gjeneratat që i kanë dhënë shumë futbollit kosovar.

Finalja e madhe

Pas ditëve të tëra me futboll, qindra ndeshje dhe emocione të pafundme, gjithçka u përqendrua në një ndeshje, te finalja e seniorëve. Përballë njëra-tjetrës ishin dy skuadrat që kishin arritur deri në fund të këtij rrugëtimi maratonik: “Endriti SHPK” dhe “Mercedes Geti”.

Në fushë kishte shumë cilësi. “Endriti SHPK” kishte në radhët e veta futbollistë të njohur të futsallit, mes tyre Fidan Misini, Rinor Dragusha, Isak Haliti dhe Jetmir Gashi, ndërsa “Mercedes Geti” vinte me emra si Adhurim Bekteshi, Muhamed Rakovica, Egzon Hasani dhe Diar Ahmeti.

Dhe finalja nuk zhgënjeu askënd. Ajo ishte pikërisht ajo që pritej nga një finale e madhe: ritëm, duele, gola, tension dhe një dramë që zgjati deri në sekondat e fundit.

“Mercedes Geti” e nisi ndeshjen në mënyrë perfekte. Skuadra arriti të krijojë një epërsi të madhe prej 3-0 dhe dukej se finalja po shkonte drejt një fitoreje të qetë dhe trofeu po i afrohej gjithnjë e më shumë duarve të saj.

Por, finalet e mëdha nuk mbyllen kurrë para kohe. “Endriti SHPK” reagoi fuqishëm. Skuadra nuk u dorëzua dhe filloi ta ngushtojë diferencën, duke e kthyer ndeshjen në një triler të vërtetë sportiv. Nga 3-0, rezultati u bë 3-1 dhe më pas 3-2, duke hapur papritur gjithçka.

Presioni u rrit, çdo sekondë dukej si një minutë dhe çdo aksion mund të ndryshonte fatin e finales. “Endriti” kërkonte golin e barazimit, ndërsa “Mercedes Geti” luftonte për të mbrojtur avantazhin e artë.

Por, vërshëllima e fundit erdhi si një shpërthim gëzimi për “Mercedes Getin”, të cilët fituan me rezultatin 3-2, duke siguruar trofeun e madh të “Prishtina Tournament”.

Në fund, trofeu shkoi te “Mercedes Geti”, ndërsa “Endriti SHPK” u desh të kënaqej me vendin e dytë pas një finaleje të luftuar deri në fund.

Një fund i denjë për një turne që për nëntë ditë e bëri sheshin e Prishtinës të frymonte futboll. /Telegrafi/

telegrafi sport app