Julia Roberts është rikthyer në vendin që e bëri të pavdekshme në botën e komedive romantike, Notting Hill, 26 vjet pas filmit ikonik me Hugh Grant.

Aktorja 56-vjeçare u pa në Londrën Perëndimore këtë javë, duke vizituar klinikën luksoze të kujdesit për lëkurën të Keren Bartov, ndërsa përgatitej për paraqitjen e saj në “The Graham Norton Show”.


Në film, personazhi i saj Anna Scott, një yll i famshëm i Hollivudit, përpiqej të dilte fshehurazi në një librari në lagjen e qetë të Londrës, duke mbajtur një kapelë dhe syze dielli, dhe duket se Julia mori frymëzim nga ajo pamje edhe këtë here, shkruan DailyMail.

Ajo u shfaq e veshur thjeshtë e me stil, me një pulovër ngjyrë deveje, kapuç dhe syze dielli, duke i kujtuar fansave momentet e paharrueshme të filmit.

Megjithatë, pavarësisht rikthimit të saj sentimental në lagje, një vazhdim i “Notting Hill” nuk është në planet e afërta.

Skenaristi Richard Curtis zbuloi se Julia refuzoi idenë për një pjesë të dytë, ku personazhet Anna dhe William do të ishin të divorcuar. “Julia mendoi se ishte një ide shumë e dobët”, tha Curtis me humor.

Në një intervistë të fundit për Vogue, aktorja pranoi se fillimisht kishte hezituar të pranonte rolin, pasi ndjehej në siklet të luante një aktore filmi, një rol që i dukej shumë i ngjashëm me jetën e saj reale.

Madje, për skenën ikonike ku i thotë Hugh Grant-it “Unë jam vetëm një vajzë, duke qëndruar përpara një djali…”, ajo vendosi të vishte rrobat e veta, për t’u ndier më rehat në rol.

Edhe pse kanë kaluar më shumë se dy dekada, Julia Roberts vazhdon të ruajë sharmin dhe natyrshmërinë që e bënë simbol të dashurisë në ekran dhe rikthimi i saj në Notting Hill është një kujtim i ëmbël për të gjithë ata që ende besojnë në romanca klasike. /Telegrafi/