Jimmy Kimmel tallet me Elon Musk pasi kritikoi përzgjedhjen e aktores me ngjyrë Lupita Nyong'o për rolin e Helenës së Trojës

Jimmy Kimmel ka kritikuar ashpër Elon Musk pasi ai sulmoi zgjedhjen e regjisorit Christopher Nolan për të përzgjedhur aktoren me ngjyrë Lupita Nyong'o në adaptimin e tij të “The Odyssey”.
Nyong’o, 43 vjeç, është zgjedhur për të luajtur rolin e Helenës së Trojës, vajzës magjepsëse të Zeusit në mitologjinë greke, për të cilën thuhej se “fytyra e saj nisi një mijë anije”, pasi joshja e saj nga princi i Trojës, Parisi, çoi në Luftën e Trojës.
Aktorja e vlerësuar, e cila fitoi një Oscar për dramën historike të vitit 2013 “12 Years a Slave”, do të luajë gjithashtu në film edhe rolin e Klitemnestrës, motrës së Helenës.

Përzgjedhja e saj u prit me reagime negative online, përfshirë komentet e komentatorit konservator Matt Walsh, i cili shkroi në X se askush “në planet” nuk e konsideron Nyong’o si gruan më të bukur në botë dhe se Nolan “e di që do të quhej racist nëse do t’ia jepte rolin e ‘gruas më të bukur’ një aktoreje të bardhë”.
Musk, pronari i platformës së mediave sociale, iu përgjigj Walsh me fjalën: “E vërtetë”, gjë që shkaktoi reagime kundërshtuese në Instagram nga Alec Baldwin.

Tani edhe Kimmel është përfshirë në debat, duke i thënë Musk-ut të “merret me punët e veta”, ndërsa talli edhe automjetin Tesla Cybertruck gjatë emisionit të tij.
Jimmy Kimmel e nisi segmentin duke shfaqur një postim të Elon Musk ku shkruhej: “Chris Nolan e përdhosi ‘The Odyssey’ vetëm që të kualifikohej për një çmim Academy Awards.”
Ai tregoi gjithashtu një tjetër postim të Musk-ut, të publikuar të premten e kaluar, në të cilin manjati pyeste: “Kush është konkretisht ai idioti që shtoi gënjeshtrat DEI në kriteret e pranimit për Academy Awards, në vend që gjithçka të kishte të bënte vetëm me realizimin e filmit më të mirë?”





















































