Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance është mburrur publikisht për vendimin e administratës së Donald Trumpit për të pezulluar dërgesat e drejtpërdrejta të armëve në Ukrainë, një vendim që ka nxitur kritika të forta në rrethanat kur Rusia vazhdon sulmet ndaj qyteteve dhe infrastrukturës ukrainase.

“Është një nga gjërat për të cilat jam më krenar… i kemi thënë Evropës se nëse dëshiron të blejë armë, mundet, por SHBA-ja nuk blen më armë dhe nuk i dërgon në Ukrainë”, tha ai gjatë një aktiviteti të organizatës Turning Point. Kjo deklaratë është interpretuar si një ndryshim i madh në qasjen e SHBA-së ndaj luftës.


Megjithatë, sipas raportimeve, Vance nuk është vetëm një zë që shpreh politikat e administratës, por edhe një nga figurat që ndikon në formësimin e tyre. Burime të brendshme thonë se ai ka një rol të rëndësishëm në debatet brenda Shtëpisë së Bardhë për politikën ndaj Ukrainës, raporton kyivindependent.

Qëndrimet e tij ndaj Kievit nuk janë të reja. Që para luftës në vitin 2022, Vance ishte skeptik ndaj ndihmës amerikane për Ukrainën dhe shpesh e ka kritikuar atë si të tepërt dhe jo në interesin e SHBA-së.

Në një deklaratë të mëparshme, ai kishte thënë se Ukraina nuk përbën interes strategjik për Amerikën, ndërsa ka kritikuar edhe aleatët e NATO-s për mungesë angazhimi më të madh financiar në luftë.

Vendimi për pezullimin e ndihmës ushtarake është përshkruar nga disa analistë si një nga ndryshimet më të mëdha në politikën e jashtme amerikane ndaj konfliktit në Ukrainë që nga fillimi i luftës. /Telegrafi/