“Jam i zhgënjyer që ende nuk më është ofruar rinovimi”, ylli i Liverpoolit shokon me deklaratën

Alexis Mac Allister ka pranuar se ndihet i zhgënjyer që ende nuk ka ardhur një kontratë e re me Liverpoolin, por ka këmbëngulur se për momentin është plotësisht i përkushtuar ndaj klubit.
Mesfushori argjentinas foli hapur për situatën e kontratës së tij, duke pranuar se mungesa e një marrëveshjeje të re e ka trishtuar.
“Me bën të trishtuar kur shoh se nuk kam marrë një kontratë të re. Por ka ende kohë. Do të jap 100 për qind deri në ditën e fundit që do të jem këtu. Do të shohim se çfarë do të ndodhë”.
Argjentinasi zbuloi gjithashtu se gjatë verës kishte pasur oferta për t’u larguar nga Anfieldi, por ai vendosi të qëndrojë, pasi beson se Liverpooli është klubi i duhur për të.

“Pati oferta këtë verë, por unë ndiej se ky është klubi i duhur”.
“E kam thënë edhe më parë se më pëlqen të jem këtu. Kjo është diçka speciale dhe nëse ndiej se mund të jemi të suksesshëm, dua të fitoj trofe. Kemi lojtarët dhe mentalitetin e duhur”.
Ai foli me superlativa edhe për klubin dhe qytetin e Liverpoolit, duke nënvizuar lidhjen e veçantë që ka krijuar me tifozët.
“E dua Liverpoolin dhe e dua këtë klub. Më pëlqen të jem këtu, i dua tifozët. Si lojtar, ndonjëherë ndodh që qëndron në një klub për një kohë shumë të gjatë dhe nuk e kupton se ku je. Kjo nuk më ndodh mua. E di shumë mirë se ky është një klub i jashtëzakonshëm, se ky qytet ka diçka shumë speciale dhe sigurisht që më pëlqen të jem këtu”, përfundoi ai./Telegrafi/










































