LAJMI I FUNDIT:

BE-ja vendos sanksione kundër grupit paraushtarak Wagner që përkrahet nga Kremlini

BE-ja vendos sanksione kundër grupit paraushtarak Wagner që përkrahet nga Kremlini

Këshilli Evropian njofton se ka vendosur sanksione kundër grupit Wagner, një entitet paraushtarak që përkrahet nga Kremlini.

Sipas vendimit, masat vënë në shënjestër vetë Wagnerin dhe tetë individë dhe tre subjekte të lidhura me grupin.


Ky grup ka rekrutuar, trajnuar dhe dërguar operativë ushtarakë privatë në zonat e konfliktit anembanë botës për të ushtruar dhunë, grabitje të burimeve natyrore dhe frikësim të civilëve duke shkelur ligjet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Individët e listuar nga BE-ja janë të përfshirë në abuzime serioze të të drejtave të njeriut, duke përfshirë torturën, ekzekutimet dhe vrasjet në disa nga vendet ku veprojnë, duke përfshirë Libinë, Sirinë, Ukrainën (Donbas) dhe Republika e Afrikës Qendrore.

Grupi gjithashtu po përhap ndikimin e tij keqdashës gjetkë, veçanërisht në rajonin e Sahelit. Për këto arsye, Wagner përbën një kërcënim për njerëzit në vendet ku ata janë të pranishëm, për rajonin më të gjerë dhe për vet Bashkimin Evropian.

BE-ja thotë se qëllimi i vendimit të sotëm është të kufizojë aktivitetet subversive të grupit Wagner.

Individët dhe subjektet e listuara tani do t’i nënshtrohen bllokimit të aseteve në BE. Përveç kësaj, individët e listuar do t’i nënshtrohen një ndalimi të udhëtimit në BE.

Grupi mercenar rus tërhoqi për herë të parë vëmendjen ndërkombëtare në vitin 2014, kur mbështeti separatistët pro-rusë në lindje të Ukrainës. /Telegrafi/