Një dokumentar i ri që sjell pamje ekskluzive nga prapaskenat do t’u japë tifozëve një pasqyrë të largimit emocional të Kevin De Bruynes nga Manchester City, gjatë sezonit të parafundit të Pep Guardiolës në krye të skuadrës.

De Bruyne njoftoi në prill të vitit të kaluar se do të largohej nga City në fund të sezonit 2024/25, pas 10 vitesh të mbushura me trofe.


Mesfushori belg, i cili fitoi gjashtë tituj të Ligës Premier me “Qytetarët”, si dhe pesë Kupa të Ligës, dy FA Cup dhe një Ligë të Kampionëve, e kishte kontratën në përfundim atë verë dhe më pas iu bashkua skuadrës së Serie A, Napolit.

Në momentin e njoftimit për largimin, De Bruyne tha se kishte ardhur “koha për të thënë lamtumirë”, pasi më herët kishte theksuar “duam apo nuk duam”, një deklaratë që linte të kuptohej se ai nuk dëshironte të largohej nga Etihad Stadium.

Në fakt, kjo është pothuajse konfirmuar tashmë në dokumentarin e ri me katër pjesë të Amazon Prime Video, “A Beautiful Obsession”.

Sipas një raportimi të BBC-së, De Bruyne shpërtheu në lot pasi mësoi se Manchester City kishte vendosur të mos ia rinovonte kontratën. Raportimi sugjeron gjithashtu se mesfushori belg foli për ndikimin që ky vendim pati te familja e tij.

Dokumentari, i cili do të publikohet të mërkurën, më 19 gusht, sjell edhe një moment emocional të Pep Guardiolës, i cili përshkroi vendimin e vështirë që duhej të merrte për ta lënë të largohej De Bruynen.

“Më vret. Pa Kevin, ajo periudhë, harrojeni. Ai po qante këtu [në zyrë]. O Zot. Kam shumë dashuri për atë lojtar. Kemi përjetuar gjëra të jashtëzakonshme së bashku. Pastaj duhet të jesh më i ftohtë”.

Disa javë pasi largimi i De Bruynes nga City u konfirmua, belgu pranoi se ishte i befasuar që nuk kishte marrë një ofertë për rinovimin e kontratës.

“Nuk kam marrë asnjë ofertë gjatë gjithë vitit, ata thjesht morën një vendim”, kishte deklaruar ai pas fitores 2-0 të Cityt ndaj Evertonit më 19 prill të vitit të kaluar.

“Natyrisht, isha pak i befasuar, por thjesht duhet ta pranoj. Sinqerisht, ende mendoj se mund të performoj në këtë nivel, siç po tregoj, por e kuptoj që klubet duhet të marrin vendime”, ka thënë belgu./Telegrafi/

telegrafi sport app