LAJMI I FUNDIT:

IPK del me 16 rekomandime për stacionin policor në Malishevë

IPK del me 16 rekomandime për stacionin policor në Malishevë

Inspektorati Policor i Kosovës, respektivisht Departamenti i Inspektimit ka publikuar Raportin e inspektimit lidhur me “Vlerësimin e performancës së Stacionit Policor të Malishevës”.

Sipas njoftimit për media thuhet se inspektimi është realizuar me kërkesë të Kryeshefit Ekzekutiv të IPK-së dhe është përqendruar në Stacionin Policor të Malishevës në kuadër të Drejtorisë Rajonale Policore të Gjakovës.


“Inspektimi ka qenë me interes për IPK-në, me qëllim që të vlerësohet nëse Stacioni është duke realizuar me sukses objektivat në përmbushje të mandatit ligjor. Gjithashtu, inspektimi ka ofruar mundësi për t’u njohur me performancën e këtij Stacioni.

Gjetjet e këtij inspektimi janë me interes për strukturën përkatëse policore, përfshirë nivelin drejtues dhe  atë operativ – administrativ”, thuhet në njoftim.

IPK në kuadër të Raportit ka dhënë 16 rekomandime, që kanë të bëjnë me pajisjen e zyrtarëve të uniformuar me veshmbathje/sprej dhe radiolidhje, përmbushjen e kuotës së orëve në trajnimet e brendshme, përfshirjen më të gjerë të zyrtarëve në ri-certifikim, trajnimin e zyrtarëve të Qendrës së Mbajtjes, mbajtjen e evidencës fizike për kundërvajtësit që rezultojnë me konfiskim të patentë shoferëve/masë mbrojtëse dhe pikë negative, dokumentimin e vizitave tek personat e kërkuar, analizimin e trendëve dhe shkaqeve të parashkrimit të urdhëresave, respektimin e hierarkisë gjatë procedimit të kallëzimeve penale, intensifikimin e kontrolleve në Dhomën e dëshmive, ushtrimin e kontrolleve mbi përdorimin e automjeteve, pastrimin e automjeteve, përmirësimin e kushteve në Qendër të Ndalimit, mbushjen e pajisjeve kundër zjarrit, sanimin e vështirësive lidhur me funksionimin e pajisjeve të kontraktuara (fotokopjeve).

Raportin e plotë të inspektimit, mund ta gjeni KËTU. /Telegrafi/