Interi mposht Juventusin, por Chivu lëshon alarmin: Nuk jemi ende gati

Cristian Chivu nuk mbeti i kënaqur me paraqitjen e Interit, pavarësisht fitores 2-1 ndaj Juventusit në një ndeshje miqësore parasezonale.
“Zikaltrit” e përfunduan turneun përgatitor me fitoren 2-1 në Perth, e cila u sigurua falë një tjetër goli të Federico Dimarcos dhe një goditjeje diagonale të Andy Diouf, që befasoi portierin e Juventusit, Michele Di Gregorion.
Francisco Conceicao ngushtoi epërsinë në fund të ndeshjes, ndërsa Juventusi pati disa mundësi për të barazuar rezultatin, veçanërisht përmes Randal Kolo Muanit dhe Kerim Alajbegoviqit.
“Gjithmonë mund të bëjmë më mirë. Të paktën, po e përfundojmë turneun pa lëndime”, tha Chivu për Sky Sport Italia.

“Ende nuk jemi gati. Na duhen edhe disa javë për të arritur mprehtësinë e duhur. Po flasim për paraqitjen në pjesën e parë, por mua nuk më pëlqeu aspak pjesa e dytë. Aspak, veçanërisht mënyra se si e nisëm atë pjesë.
“Duhet të gjejmë më shumë zgjidhje. Është e vërtetë që gjatë periudhës më të mirë të Juventusit në ndeshje, ne shënuam golin e dytë, por duhet të bëjmë më mirë”, shtoi trajneri i Interit.
Juventusi e përfundoi sezonin e kaluar në vendin e gjashtë në Serie A dhe gjatë kësaj vere ka qenë aktiv në afatin kalimtar, duke afruar lojtarë si Kolo Muani, Alajbegovic dhe ish-mbrojtësin e Romës, Zeki Celik.
“Mendoj se janë një skuadër e mirë dhe shumë e organizuar. Ndeshjet parasezonale nuk kanë shumë rëndësi për rezultatet, pasi ne po kërkojmë ide të reja dhe po punojmë për përmirësimin e gjendjes fizike”.
“Juventusi është një ekip i fortë dhe sigurisht që do ta ketë fjalën e tij këtë sezon”, përfundoi Chivu./Telegrafi/











































