Incident në koncertin e Ricky Martin në Podgoricë - hidhet gaz lotsjellës, shtyhet performanca për disa minuta

Ylli botëror i muzikës, Ricky Martin, është deklaruar pas koncertit të mbajtur në Podgoricë, ku performoi në kuadër të shënimit të 20-vjetorit të pavarësisë së Malit të Zi.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, këngëtari tha se dëshiron të mbajë mend vetëm energjinë e publikut dhe atmosferën e krijuar gjatë mbrëmjes, pavarësisht incidentit që ndodhi drejt fundit të koncertit.
“Mali i Zi, zgjedh të mbaj mend vetëm energjinë e jashtëzakonshme që ndjeva nga të gjithë ju. Publiku ishte kaq i ngrohtë dhe plot dashuri. Së bashku festuam muzikën, kulturën dhe, sigurisht, pavarësinë tuaj. Ende jam nën përshtypjet e asaj mbrëmjeje dhe të performancës para jush. Faleminderit shumë për ftesën, ju dërgoj shumë dashuri dhe me siguri do të kthehem”, ka shkruar Ricky Martin.
\Koncerti u ndërpre për rreth 10 minuta, pasi në skenë u hodh gaz lotsjellës, çka detyroi ekipin të ndalonte përkohësisht performancën. Megjithatë, pasi situata u stabilizua, Martin u rikthye sërish në skenë dhe u prit me duartrokitje në këmbë.

Sipas raportimeve, pas rikthimit ai i siguroi fansat se asnjë incident nuk do ta ndalonte koncertin. Një zëdhënëse e ekipit të tij ka thënë se, ndonëse këshilla fillestare ishte të mos vazhdohej, pasi autoritetet lokale konfirmuan se gjithçka ishte nën kontroll, Ricky Martin vendosi të vijonte për shkak të publikut.
Reagimi i tij u komentua gjerësisht edhe në rrjete sociale, ndërsa këngëtari theksoi se do ta mbajë mend këtë mbrëmje për dashurinë dhe energjinë që mori nga publiku në Podgoricë. /Telegrafi/

















































