Ibrahimovic tallet pa mëshirë me Ronaldon pas magjisë së Messit: Fansat e tij janë me dhimbje dhe lot në sy


Zlatan Ibrahimovic nuk e humbi rastin për ta ngacmuar Cristiano Ronaldon dhe tifozët e tij, pasi Lionel Messi udhëhoqi Argjentinën drejt një përmbysjeje spektakolare 3-2 ndaj Egjiptit në Kupën e Botës 2026.
Suedezi, i cili ka qenë bashkëlojtar me Messin te Barcelona, ka bërë gjithmonë të qartë se kë e konsideron futbollistin më të madh mes argjentinasit dhe portugezit. Pas eliminimit të Portugalisë nga Spanja vetëm një ditë më parë, Ibrahimovic nuk kurseu ironinë.
“Ngushëllimet e mia për të gjithë ata që e urrejnë Messin dhe për të gjithë tifozët e Ronaldos që menduan se do të qeshnin sonte”.
“Në rezultatin 0-2 ata tashmë po festonin fitoren. Por më pas Messi ia kujtoi botës pse një ndeshje futbolli nuk përfundon derisa të bjerë bilbili i fundit. Tani ata do të shkojnë të flenë me dhimbje dhe lot, ndërsa Argjentina është në çerekfinale. Ky është futbolli, kjo është madhështia e tij”.

Messi pati një mbrëmje të vështirë deri në minutën e 83-të, kur shënoi golin e barazimit 2-2, pasi më herët kishte humbur edhe një penallti. Megjithatë, ai reagoi në momentin vendimtar dhe hapi rrugën që Enzo Fernandez të realizonte golin e fitores në kohën shtesë.
Ibrahimovic nuk kurseu lavdërimet për ish-bashkëlojtarin e tij.
“Messi ishte një bishë. Askush nuk mund ta ndalte. Ai nuk u ndal asnjëherë. Ky është Messi që unë njoh, Messi që kemi parë gjithmonë dhe që vazhdojmë ta shohim”.
“Mos harroni, ai tashmë e ka fituar Kupën e Botës. Messi ka fituar çmime të panumërta, Topa të Artë dhe gjithçka tjetër. Mjafton ta shikoni rekordin e tij, është përsosmëri e pastër. E megjithatë, ai ende ka uri për më shumë”, deklaroi ai për “Fox Sports”.
Argjentina tashmë ka siguruar një vend në çerekfinale, ku do të përballet me Zvicrën./Telegrafi/










































