LAJMI I FUNDIT:

Humor me stupc

Humor me stupc

Janë të dashur për të gjithë, jo vetëm pse humori është “ushqimi” për të cilin kemi nevojë për të mbajtur gjallë optimizmin, por sepse janë origjinalë dhe dinë çfarë të ofrojnë në menynë e artit të tyre. Për ta mund të thuhet se janë opozita më e sinqertë e të gjitha dukurive negative që karakterizojnë shoqërinë e Kosovës.


Ndonëse kanë specifika të veta, funksionojnë si një. Vedat Bajrami, Osman Azemi dhe Mensur Safqiu janë treshja që ka ndërtuar identitetin dhe stilin e vet. “Stupcat” nuk janë krijuar për të thurur elozhe, por për të thumbuar dukuritë e këqija që ndodhin. Prandaj, thumbat e tyre bëhen temë e diskutimit, e madje edhe pasqyrimit të jetës së përditshme.

Vedat Bajrami

Vedat, si lindën “Stupcat”?
“Stupcat” lindën si produkt i një gjenerate të aktrimit, të cilët punuan me shumë endje për t’u përgatitur në sfidat e reja të profesionit, duke filluar së pari me Kamerën e Fshehtë në Kohavision, pastaj me emisionin revolucionar “Ditari i Stupcave”, në përbërje të Agron Sokolit, Blerim Qeriqit, Vedat Bajramit, Osman Azemit dhe Feim Ademit. Aty ne rrahëm shumë tema me dukuri negative në shoqërinë tonë. Njëherazi, ishte ky edhe emisioni më i guximshëm gjithëshqiptar.

A po i kruhet shoqërisë shpina për stupc?
Momente-momente po, momente-momente jo.

“Stupcat” kanë pasur një rrugëtim të gjatë, e shpesh udhëtoni edhe jashtë…
Rrugëtimi ynë është ende më i gjatë se që mund ta paramendoni, duke ia nisur nga KTV, RTK, Top Channel, Platforma Kujtesa, Digitalb dhe 12 vjet rrugëtime nëpër diasporë. Ne moti e kemi bërë bashkimin kombëtar (hahaha).

A keni arritur t’i bini “në vete” njerëzit!?
Ne nuk kemi punë me individë, por kemi punë me dukuri negative në shoqërinë tonë dhe ngritjen e vetëdijes. Çdo dukuri negative në shoqëri e ndien peshën e stupcit.

A ia keni parë sherrin goditjeve të stupcit?
Jo, veç hairin.

Vedat, keni një fizionomi që njerëzit i bën të “rrëqethen” që në kontaktin e parë, e lëre më kur filloni të thumboni…
 Nuk e di, unë jam si çdo qytetar tjetër i Kosovës.

A kanë fuqi humori dhe satira t’i lëvizin gjërat nga vendi, apo ju silleni “qysh është vendi edhe kuvendi”?
Patjetër, satira është pjesë e pandashme e kësaj shoqërie dhe e ka efektin e vet, ndërsa “Stupcat” kurrë nuk sillen si është vendi edhe kuvendi, sepse “Stupcat” nuk i takojnë askujt, përpos popullit. Ne jemi vetëm të popullit.

Jeni treguar mjaft të guximshëm kur është fjala për udhëheqës të niveleve të më të larta politike…
Realiteti në Kosovë më bën të guximshëm dhe mund të them që ne jemi luftëtarë më të denjë kundër dukurive negative.

Keni pasur reagime për këto kritika?
Jo, nuk kemi pasur reagime, përkundrazi vetëm përgëzime.

Si imitues e ke të siguruar titullin – më i miri. A mund të na tregoni ndonjë histori me personazhet që imitoni?
I takon publikut të vlerësojë për titullin, unë obligohem që të punoj pareshtur vetëm për ta. Karriera ime artistike ka shumë personazhe dhe nuk mund ta ndaj asnjë, sepse për mua peshojnë të gjitha personazhet njësoj.

A mund të jetë mik yti një person që s’di të qeshë?
Po, patjetër që mund të jetë. Ai që s’di të qeshë, di të qajë (hahaha).

Vedat, kur ke puthur për herë të parë? Kë dhe si ndodhi?
 Në moshë të re puthjen e parë ia kam falur nënës edhe tezes (hahaha).

Me kë je dashuruar për herë të parë? Sa zgjati kjo dashuri?
Me Dashurinë time. Vazhdon ende të zgjasë deri në fund të jetës.

E ndien veten të privilegjuar e fejuara juaj që ka përkrah një partner të njohur dhe që ia bën jetën me humor?
Privilegji është imi të kem një person aq të kompletuar pranë vetes, që më bën të jem i kompletuar, sepse në jetë të jesh i suksesshëm duhet të kesh mbrapa vetes një grua të suksesshme, ndërsa unë e kam këtë fat.

Osman Azemi

Osman, a mund të themi se jeni stupci i mesëm?
Te “Stupcat” nuk ka dallime. “Stupcat” janë një. Respekti dhe dashuria ndaj punës më obligon të kem forcë dhe energji pozitive.

Jeni ndër aktorët e rrallë që transformoheni shumë shpesh dhe në çdo rol, madje luani role edhe të gjinisë së kundërt. Si arrini të transformoheni në çast?
Profesionin të cilin e kam zgjedhur, më bën të transformohem në cilindo rol që më ofrohet.

Duket se roli i femrave të pispillosura ju fle shumë?
Nuk do të thosha që i aktroj femrat e “pispillosura”, por varet për karakterin si e ndërtoj në rol. Bindja është një prej fuqive që ka profesioni ynë.

“Stupcat” kanë pasur rastin të dalin edhe para publikut shqiptar në Tiranë, duke marrë pjesë në “Portokalli”, por edhe si garues në “V.I.P Shpija e Kosovës”. Si keni kaluar në një vend ku është garuar dhe ku me humor tashmë pretendon të merret çdo qytetar?
Përvoja e bashkëpunimit në “Portokalli”, ku kemi marrë pjesë unë dhe Vedati, është një përvojë e cila më ka përcjellë dhe ngritur në rrugëtimin e profesionit tim. Ndaj, meriton çdo respekt, njerëzor dhe profesional. Ishte ky bashkëpunimi i parë ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë në sferën e kulturës.

Si arrini të mbijetoni në një ambient ku çdo gjë tingëllon në hajgare?
Do të ishte mirë po të ishte çdo gjë hajgare, por ne i qasemi punës me shumë seriozitet dhe mund të them që “Stupcat Group” është një arenë e vërtetë ku luftohet për t’u arritur kualiteti, sepse na obligon shikuesi, i cili gjithmonë pret nga ne të jemi në nivel të lartë.

A ju pëlqen shikuesi më shumë si aktor apo si aktore?
Është e publikut të vendosë atë. Unë e ndiej veten mirë në çdo rol që më afrohet dhe mundohem ta aktroj më së miri, sepse atëherë e mbërrij profesionalizmin. Nuk fshihem mbas petkut të kostumit.

Ju ka ndodhur që ai që satirizoni t’ju ketë përgëzuar?
Po, në të shumtën e rasteve, me shumë respekt.

Çka ju ka pëlqyer e çka nuk ju ka pëlqyer te figura e atij që e imiton i kaq shpesh?
Bagazhi im artistik ka shumë karaktere dhe gjithmonë jam munduar t’i sjell ata në mënyrë më profesionale të mundur, pa e ofenduar askënd.

Jeni grup unikat, qoftë për fjalorin, veshjen, qoftë për humorin. Kush ju ku bërë bashkë, kush kë e ka zbukuruar?
“Stupcat” datojnë nga viti 2001. Së pari jemi bërë bashkë gjatë studimeve me kolegë të grupit të aktrimit, Agron Sokoli, tash edhe drejtor ekzekutiv në “Stupcat Group”, Blerim Qeriqi i cili jeton në SHBA, Feim Ademi i cili merret me biznes privat dhe unë e Vedati. Më vonë kemi filluar bashkëpunimin edhe me Mensurin.

Njeriu a mund të jetojë pa humorin?
Besoj që po, por mendoj se humori është pjesë e bukur e jetës që e bën çdo njeri të relaksohet dhe të ndihet mirë.

Kush janë adhuruesit tuaj më të flaktë, ata të Kosovës, apo të diasporës?
Adhuruesit tanë të flakët janë anembanë botës, gjithkund ku ka shqiptar, në vend edhe jashtë.

Mensur Safqiu

Mensur, pse shpesh “Stupcat” po shndërrohen në thupra. Mos ua ka ngrehur ndokush veshin?
Njëra dhemb, tjetra djeg, varësisht prej moshës. Ne veshët mund t’ua ngrehim vetëm vetvetes, përndryshe i kemi të paprekur. “Stupcat” pëshpëritim apo bërtasim në vesh të popullit edhe pse nuk i takojmë grupit të njerëzve që duhet të ngrehë veshët.

Inkuadrimi juaj në këtë grup, sikur me vonesë, grupit i ka dhënë peshë. Si jeni gjendur në mesin e Vedatit dhe Osmanit?
Me gjithë karrierën dhe një bagazhi i cili daton nga viti 1992, unë në mesin e shokëve që nga fillimi jam ndier i kompletuar, sikurse mendoj që edhe shokët që kam janë kompletuar me mua.

Çfarë humori kultivohet sot në Kosovë?
Kishte për të qenë shumë e paedukatë dhe jo profesionale t’i jepja unë përgjigje kësaj pyetjeje. Kjo i dedikohet audiencës apo ndonjë kritiku.

I keni tekstet spontane, të thella dhe me gjemba. Kush ka më shumë dorë në tekstet tuaja?
Realiteti kosovar.

A jeni robër të teksteve, apo keni edhe shumëçka që ju vjen aty për aty?
Ne jemi burimi i karaktereve dhe i teksteve.

Mensur, si ndiheni si aktor, në komedi…
Mendoj, jo vetëm unë, por edhe në disa libra thuhet se humori është zhanri më i vështirë i aktrimit. Përndryshe, unë për skeçet tona ose më mirë të them punën në përgjithësi, pavarësisht se si sot perceptohet, dikur do të shihet si emision dokumentar ose dramë sociale e cila i kalon kufijtë e komedisë, bile-bile është tragjike.

Ku mendoni se jeni më i suksesshëm, në komedi apo në të tjera gjini?
Unë tashmë jam një profesionist i dëshmuar dhe, çdo varg që ka kuptim, unë jam i gatshëm ta vesh me shpirt.

Cilat janë “shanset” që një aktor të jetojë si humorist?
Unë mendoj se me çdo punë njeriu mund të jetojë zellshëm.

Ju me mjaft sukses i argëtoni të tjerët. Po veten? Dhe, a ka ndonjë personazh që juve ju bën të qeshni?
Mua personalisht vetëm Vedati më bën të qesh, e skeçet tona kur i këqyrim ne, nuk e dimë a duhet të qajmë apo të qeshim.

Humoristi është i lindur, apo e mëson talentin me përvojë?
E lindura është një, puna është zero në kuptimin figurativ. Sa më shumë punë, njëshit i bashkohen më shumë zero.

A shikoni humor të huaj dhe a keni ndonjë model?
Nuk shikoj shumë televizor, ndërsa DVD-në e kam të prishur (hahaha).

Cilat janë pretendimet e “Stupcave” në të ardhmen?
Pa fjalë të mëdha, t’ia lëmë kohës të dëshmojë. Të punojmë. /Telegrafi/

Foto: Arton Humolli

Në trend

Më shumë
Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Lajme
Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës,

Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës, "Octopus": Urgjentisht të koordinohen veprimet me ndërkombëtarët

Siguri
Aktivisti i PSD-së i shkon në tavolinë deputetit të LVV-së: A po ju vjen marre që e pranuat

Aktivisti i PSD-së i shkon në tavolinë deputetit të LVV-së: A po ju vjen marre që e pranuat "Zajednicën", për Këshillin e Evropës...

Lajme
Ukrainasit rrëzojnë aeroplanin ushtarak rus që kushton gati 80 milionë euro

Ukrainasit rrëzojnë aeroplanin ushtarak rus që kushton gati 80 milionë euro

Evropa
Dodik kërkon dëbimin e ambasadorëve të SHBA-së, Britanisë dhe Gjermanisë nga Bosnja

Dodik kërkon dëbimin e ambasadorëve të SHBA-së, Britanisë dhe Gjermanisë nga Bosnja

Bosnja
Vrasjet e fundit, ekspertët tregojnë lagjet më problematike të Prishtinës

Vrasjet e fundit, ekspertët tregojnë lagjet më problematike të Prishtinës

Siguri
Kalo në kategori