Gazetari i famshëm italian me shkrim të veçantë për Albion Rrahmanin: Nga lumi Llap deri te Laguna, ylli i Kosovës pranë Venezias


Venezia po vazhdon të ndërtojë skuadrën për sezonin e ri në Serie A dhe pas disa afrimeve të rëndësishme, klubi italian duket se është gati të mirëpresë edhe sulmuesin e Kosovës, Albion Rrahmani.
Pas largimit të Doumbias te Sporting, skuadra e Giovanni Stroppas ka afruar emra si Toma Basic, Mikael Ishak Helgason, Lisman, Armel Bella-Kotchap dhe Correia, ndërsa tani vëmendja është përqendruar te reprezentuesi kosovar, i cili ka kaluar dy sezone të suksesshme te Sparta e Pragës.
Gazetari i famshëm italian Gianluca di Marzio ka bërë një shkrim të gjatë për karrierën e Rrahmanit.
“Rrahmani e nisi rrugëtimin e tij në futboll te Llapi, klubi i qytetit të tij të lindjes, Podujeva, para se të kalonte në disa skuadra të tjera dhe më pas te Ballkani në vitin 2021”.
“Sulmuesi i lindur më 31 gusht 2000 spikati menjëherë në elitën e futbollit kosovar falë lëvizshmërisë së tij, aftësisë për të luajtur me të dyja këmbët dhe forcës në lojën ajrore, pavarësisht gjatësisë prej 188 centimetrash”.

“Edhe pse niveli i Superligës së Kosovës konsiderohet ndër më të ulëtit në federatat e UEFA-s, Rrahmani la gjurmë të mëdha me fanellën e Ballkanit, duke regjistruar 34 gola dhe nëntë asistime në 68 paraqitje, ndërsa fitoi dy tituj kampioni dhe dy herë u shpall golashënuesi më i mirë i kampionatit”.
“Paraqitjet e tij bindën Rapid Bukureshtin që ta transferonte në verën e vitit 2023 dhe edhe aventura në Rumani rezultoi mjaft e suksesshme”.
“Në sezonin e tij të vetëm në futbollin rumun, Rrahmani realizoi 18 gola dhe gjashtë asistime në 29 ndeshje, pavarësisht se skuadra e tij e mbylli kampionatin vetëm në vendin e gjashtë”.
“Në verën e kaluar, Sparta e Pragës investoi pesë milionë euro për kartonin e tij dhe sulmuesi kosovar nuk vonoi për ta justifikuar besimin e klubit çek”.
“Debutimi i tij në kampionatin çek erdhi pikërisht në ditëlindjen e tij të 24-t, një ditë që vetë lojtari e ka cilësuar si më të bukurën e jetës së tij deri më tani, pasi e shënoi me gol dhe asistim në fitoren 2-0 ndaj Kraloves”.

“Rrahmani ishte vendimtar edhe në ndeshjen kualifikuese të Ligës së Kampionëve ndaj Malmos, ndërsa më pas arriti të shënonte edhe në fazën e ligës ndaj Feyenoordit”.
“Aventura e tij te Sparta e Pragës u mbyll me 26 gola dhe gjashtë asistime në 83 paraqitje, ndërsa tani sulmuesi kosovar duket i gatshëm për hapin e radhës në karrierë: Serie A me fanellën e Venezias”, shkroi ai.
Ndërkohë, Venezia pritet të paguajë rreth 7 milionë euro për ta kompletuar afrimin e Rrahmanit./Telegrafi/















































