eksperti ad

Një rrëfim për fëmijërinë, luftën, shtëpinë e djegur dhe artin që ia dha kujtesës së Kosovës një gjuhë të kuptueshme në gjithë botën

Nga një fëmijë që në kampin e Kukësit vizatonte me njërën dorë zogj dhe me tjetrën luftën, te artisti që sot e ngjit kujtesën e Kosovës mbi çatitë e New Yorkut dhe në muzetë më prestigjiozë të botës, Petrit Halilaj ka ndërtuar një gjuhë arti ku dhimbja nuk mbetet plagë, por shndërrohet në imagjinatë, liri dhe rezistencë.


Në këtë intervistë ekskluzive për Telegrafin, Halilaj flet për Runikun, Kosovën, kampin e Kukësit, dashurinë, trupin, artin queer dhe “Abetaren” në The Metropolitan Museum of Art, duke zbuluar se si kujtesa mund të mbetet e gjallë pa u kthyer në burg të së kaluarës.

Një rrëfim i rrallë për fëmijërinë që i shkroi botës me vizatime, për shtëpinë që digjet dhe rindërtohet, për ëndrrën si akt rezistence dhe për një artist që nuk pranon ta lërë plagën t’ia vrasë të ardhmen.

“The Roof Garden Commission: Petrit Halilaj, Abetare”, New York, 2024 / Foto: The Met / Hyla Skopitz / ChertLüdde / Petrit Halilaj / Kurimanzutto / Mennour

Kujtesa që nuk pranon të bëhet burg

Petrit, shumë artistë e kërkojnë botën për ta gjetur zërin e tyre, ndërsa ju duket se e keni gjetur botën duke u kthyer te fëmijëria, te Runiku, te Kosova dhe te kujtesa. A keni frikë se kujtesa mund të bëhet një vend ku artisti mbetet i bllokuar, apo për ju ajo mbetet burimi më i lirë i imagjinatës?

Nuk mendoj se jam kthyer në fëmijëri për të mbetur aty. Për mua është një ardhje e shkuarje e vazhdueshme, sepse ajo derë është dhe do të mbetet e hapur. Kujtesën nuk e shoh si një muze me koleksion të ngrirë dhe ekspozitë të përhershme. Ajo nuk është as vend ku fshihesh prej realitetit. Është diçka e gjallë, që ndryshon vazhdimisht, si toka, si bari, ose si një zog që rastësisht kthehet në vendin ku dikur e ka pasur folenë, por nuk rri aty përgjithmonë.

Kam frikë nga nostalgjia kur ajo fillon ta mohojë rëndësinë e së tashmes dhe të së ardhmes, kur kthehet në një mall obsesiv për t’u kthyer prapa dhe për t’i romantizuar ditët që kanë kaluar. Kam frikë edhe nga ideja që dhimbja të bëhet themel mbi të cilin ndërtohet dhe përjetohet identiteti. Më pëlqen kujtesa kur lëviz, kur ka rrjedhë, kur nuk mbetet e palëvizshme.

Kujtesa ime është Runiku, Kosova, kampi i Kukësit, shtëpia e djegur, shkolla, vizatimet, familja dhe gjuha. Por ajo është edhe Berlini, New Yorku, Meksika, Madridi, dashuria, miqtë, trupat queer që kërkojnë hapësirë, si dhe një botë që ende mund të imagjinohet ndryshe.

Për mua, kujtesa është një burim shumë bujar i imagjinatës dhe frymëzimit, por ajo duhet të mbetet gjithmonë e lidhur me atë që vjen më pas. Është një mënyrë për të pyetur: çfarë bëjmë tani me atë që na ka ndodhur?

Dy duart e krijimit: njëra mban plagën, tjetra kërkon fluturimin

Në kampin e Kukësit vizatonit me të dyja duart: njëra vizatonte zogj, tjetra luftë. A ndieni se edhe sot krijoni me “dy duar”: njërën të rrënjosur në dhimbjen e Kosovës dhe tjetrën të shtrirë drejt një bote që kërkon të ëndërrojë ndryshe?

Po, unë ende krijoj me të dyja duart. Mendoj se njëra prej tyre duhet ta njohë të kaluarën, që tjetra të mund të sjellë alternativa të reja. Njëra dorë kujdeset për plagën dhe shërben si një lloj arkivi, duke mbledhur përshtypjet personale dhe kolektive të luftës, dëbimit, pasojave të nacionalizmit dhe projektit imperial të Serbisë.

Dora tjetër refuzon që e tashmja të jetë vetëm vazhdim apo përsëritje e asaj që tashmë ka ndodhur. Ajo që ka ndodhur nuk mund të jetë fjalia e fundit. Por kjo dorë nuk mund të krijojë pa dijen e dorës tjetër. Është një tension i dyfishtë që lëkundet vazhdimisht mes dhimbjes dhe fluturimit.

Nuk dua që Kosova të shihet vetëm përmes traumës historike, por nuk dua as që plaga të fshihet për hir të rehatisë apo diplomacisë. Arti im kërkon të krijojë një hapësirë ku dhimbja nuk mohohet. Ajo njihet, por nuk lejohet të bëhet burg.

Petriti me psikologun Giacomo “Angelo” Poli në kampin e refugjatëve Kukës II, Shqipëri, prill 1999. Arkivi i Giacomo Poli

Kur një fëmijë i shkruan botës me vizatime

Sa shpesh mendoni për psikologun italian Angelo, që i ruajti vizatimet e asaj kohe? A është arti, në fund të fundit, dëshmia se si një i panjohur mund ta shpëtojë jo vetëm një fëmijë, por edhe artistin që ai fëmijë do të bëhet?

Mendoj shpesh për Angelon. Jo çdo ditë, drejtpërdrejt, por ai është aty, si një shembull i fuqishëm se një gjest i vogël mund ta ndryshojë një jetë. Ai nuk më “bëri” artist, por e njohu aftësinë dhe mundësinë time si të tillë. Më mori seriozisht si një fëmijë që vizatonte.

Dhe kjo ka rëndësi të jashtëzakonshme: fakti që dikush mund ta marrë seriozisht një fëmijë, ta trajtojë si dikë që ka një këndvështrim për tema komplekse “të të rriturve”, si lufta dhe zhvendosja.

Në një moment kur bota rreth meje po shembej, dikush tha: vizato. Dikush tha: ajo që po ndien ka formë, ka vlerë, mund të marrë trajtë në diçka që të tjerët mund ta njohin dhe ta vlerësojnë. Ndoshta arti fillon pikërisht aty, kur dikush nuk e shpërfill zërin tënd dhe guxon ta dëgjojë.

Jam shumë mirënjohës për këtë. Dhe ndoshta kjo është arsyeja pse sot më intereson kaq shumë se si institucionet, fondacionet, muzetë, klubet dhe shkollat mund të bëhen vende ku një fëmijë, një artist i ri, një njeri i pambrojtur, mund të ndihet i parë.

Petriti duke ia prezantuar vizatimin e tij Kofi Annan-it në Kukës II, Shqipëri, 20 maj 1999

Si fëmijë, përmes një vizatimi, i kërkuat Kofi Annan-it të ndalej lufta. Sot, në institucionet më të mëdha të botës, a ndieni se veprat tuaja vazhdojnë ta bëjnë të njëjtën kërkesë, por tashmë në një gjuhë që nuk ka nevojë për përkthim?

Kur isha fëmijë dhe i shkrova Kofi Annan-it përmes një vizatimi, nuk kisha gjuhë politike. Kërkoja vetëm që lufta të merrte fund.

Sot, kur puna ime shfaqet në institucione, muze dhe galeri, ajo e bart atë kërkesë në një formë tjetër. Kjo gjuhë është zgjeruar përmes takimeve me njerëz dhe artistë që janë përballur me përvoja të ngjashme.

Ajo që ndodhi në Kosovë ka jehonë në çdo kontinent. Prandaj, puna ime flet kundër çdo gjëje që e bën të mundshme luftën dhe kundër idesë se disa njerëz vlejnë më pak se të tjerët.

Vizatimet e fëmijërisë kanë kaluar nga letra e një fëmije të zhvendosur në instalacione monumentale. Kur i shihni sot, a i përjetoni si vepra arti, si dëshmi historike, apo si një letër që fëmija Petrit ia ka dërguar burrit që jeni bërë?

Kur i shoh sot vizatimet e fëmijërisë, nuk mund t’i shoh vetëm si art. Ato janë edhe dëshmi historike, dokument personal dhe objekte shumë intime. Janë si mesazhe që Petriti i vogël ia ka dërguar njeriut që jam sot, por edhe si një thirrje që një fëmijë nga Kosova ia drejtonte botës.

Më prek fakti që ato mbijetuan, sepse shumëçka tjetër nuk mbijetoi: shtëpitë u dogjën, ndërtesat u shkatërruan, njerëzit u detyruan të largoheshin dhe shumë kujtime u kthyen në hi. Por ato fletë mbetën.

Tani, kur shfaqen në instalacione, muze dhe hapësira publike, nuk dua t’ua heq brishtësinë. Dua të mbetet ajo ndjesi: se gjithçka ka ardhur nga dora e një fëmije. Jo nga një artist, politikan, gazetar apo historian, por nga një fëmijë që përpiqej të kuptonte pse bota nuk po dëgjonte.

Petrit Halilaj, “Syrigana. An opera in five acts by Petrit Halilaj”, Syrigana, 2025 / Foto: Arben Llapashtica / ChertLüdde, Berlin / Petrit Halilaj / Kurimanzutto, Mexico City / Mennour, Paris

Dhimbja që vishet me lule, ngjyra dhe zogj

Në artin tuaj, dhimbja nuk vjen kurrë e zhveshur, por e mbështjellë me lule e ngjyra. A ishte kjo një zgjedhje estetike, apo një vendim etik për të mos e lënë dhunën ta ketë fjalën e fundit mbi kujtesën?

Nuk e di nëse në fillim ishte zgjedhje estetike. Më vonë e kuptova se ishte edhe vendim etik. Nuk dua t’ia jap dhunës luksin që të duket më e fuqishme se jeta. Po ashtu, e refuzoj idenë se të shohësh diçka të butë dhe të ndjeshme është më pak nxitëse, intelektualisht apo estetikisht, sesa të përballesh me dhunën.

Lulet, ngjyrat, kafshët, kostumet dhe zogjtë nuk janë dekorim, mohim apo arratisje. Janë formë rezistence. Janë mënyra ime për t’i thënë dhunës: ke shkaktuar dëm, por nuk do ta marrësh gjithë imagjinatën time.

Kjo u pa edhe pas luftës, së fundmi edhe me kontejnerin e “Syriganës”, i cili në vitin 2025 u vandalizua, iu vu zjarri dhe u mbulua me gjuhë urrejtjeje. Edhe përballë asaj situate të drejtpërdrejtë kërcënimi dhe dhune, ne vazhduam ta shfaqnim operën. Ende bëmë dardha, lule dhe zogj; ende kënduam himne dhe arie; ende i mblodhëm njerëzit bashkë.

Këtë nuk do ta quaja naivitet. Për mua, është një formë shumë serioze e mosdorëzimit.

Petrit Halilaj, “Syrigana. An opera in five acts by Petrit Halilaj”, Syrigana, 2025 / Foto: Arben Llapashtica / ChertLüdde, Berlin / Petrit Halilaj / Kurimanzutto, Mexico City / Mennour, Paris

Rrënjët në tokë, fluturimi në qiell

Emri juaj lidhet me zogun grabitqar, ndërsa arti juaj shpesh flet për brishtësinë dhe lirinë. A keni ndier ndonjëherë se ky rrugëtim ka ndjekur një profeci të fshehur brenda emrit, duke i ankoruar rrënjët tuaja në qiell?

Më pëlqen shumë kjo pyetje. Emri Petrit lidhet me fajkoin, një zog që njihet për forcën, për ngritjen në qiell dhe për shikimin shumë të mprehtë. Nuk dua ta romantizoj këtë kuptim, por ndonjëherë më duket si një shenjë.

Arti im gjithmonë ka pasur prirje drejt fluturimit dhe ngritjes, jo si mënyrë për t’u larguar nga toka, por për ta parë atë më qartë; për t’i bashkuar perspektivat dhe këndet e ndryshme të shikimit.

Rrënjët e mia janë në tokë: në Runik, në Kosovë, në familjen time, në gjuhën time. Por shpesh jam përpjekur t’i ankoroj ato edhe në qiell, në një hapësirë tjetër, të lirisë së skajshme. Sikur të thosha: edhe ne që vijmë nga vende të vogla, nga histori të rënda, kemi të drejtë të fluturojmë.

Në universin tuaj ka pula, kafshë, kostume dhe alter ego. A janë këto krijesa mënyra për t’u fshehur, për t’u mbrojtur, apo për të thënë të vërteta që trupi njerëzor nuk i përballon dot?

Nuk do të thosha se kafshët dhe kostumet janë mënyra për t’u fshehur. Për mua, ato janë mënyra për të shpalosur të vërteta për njerëzit, sepse kafshët dhe vetë natyra janë përdorur gjithmonë si bartëse të simbolikës dhe kuptimeve të fshehura. Por janë edhe mënyrë për ta zhvendosur njeriun nga vendi qendror që ia kemi dhënë në teatrin e historisë.

Një pulë mund të jetë qesharake, por edhe heroike. Një zog mund të jetë i brishtë, por edhe politik. Një dhelpër, një gjel, një milingonë, një flutur, mund të thonë gjëra që një njeri ndoshta do t’i thoshte me shumë frikë.

Si person queer, që vij nga një histori zhvendosjeje, më interesojnë shumë trupat që mund të ndryshojnë formë dhe që e ruajnë aftësinë për ta rishpikur veten. Kostumet funksionojnë si armaturë, si mbrojtje, por janë edhe çliruese, sepse të lejojnë të jesh diçka tjetër. Unë nuk jam vetëm ky trup. Jam edhe kafshë, zog, kujtim, fantazi, protestë.

Petrit Halilaj, “Syrigana. An opera in five acts by Petrit Halilaj”, Syrigana, 2025 / Foto: Arben Llapashtica / ChertLüdde, Berlin / Petrit Halilaj / Kurimanzutto, Mexico City / Mennour, Paris

Nëna juaj është përshkruar si mendje artistike, ndërsa babai si hartograf. Nëse imagjinata e saj ishte qielli dhe hartat e tij ishin toka, ku ndodhet pika e takimit të tyre në artin tuaj?

Nëna ime ma hapi qiellin e imagjinatës. Ajo kishte, dhe ende ka, një fuqi të jashtëzakonshme për ta parë jetën përtej rrethanave që na rrethonin. Babai im, përmes hartave, gjeografisë dhe dëshirës për ta kuptuar tokën, më dha një mënyrë tjetër për ta parë hapësirën dhe vendin.

Ndoshta arti im lind pikërisht aty ku takohen këto dy botë: qielli i imagjinatës së nënës sime dhe toka e babait tim, e lidhur me vendin, me rrënjët dhe me kujtesën. Një hartë që nuk është vetëm gjeografike, por edhe emocionale. Një qiell që nuk mbetet vetëm ëndërr, por bëhet hapësirë ku mund të ndërtohet diçka reale.

Jam shumë mirënjohës ndaj familjes sime. Pa nënën, babain, motrat dhe vëllezërit e mi, pa atë formë dashurie që vjen nga familjet tona në Kosovë, nuk do ta kisha pasur të njëjtën forcë si artist.

Petrit Halilaj, “Syrigana. An opera in five acts by Petrit Halilaj”, Syrigana, 2025 / Foto: Arben Llapashtica / ChertLüdde, Berlin / Petrit Halilaj / Kurimanzutto, Mexico City / Mennour, Paris

Runiku si vendlindje, metodë dhe qendër e botës

Ju keni çuar dheun e Runikut në metropole të mëdha. A mund ta ruajë muzeu “erën e shtëpisë” dhe teksturën organike të vendlindjes, apo vetëm arti arrin ta mbrojë një vend nga harresa?

Muzeu mund të ruajë shumë gjëra, por nuk e di nëse gjithmonë mund ta ruajë diçka aq të pakapshme sa “era e shtëpisë”. Ajo vjen nga trupi, nga gjuha që e bartim me vete, nga ushqimi që gatuhet në shtëpi, nga aroma e tokës pas shiut dhe nga zërat e njerëzve në peizazhin përreth.

Megjithatë, arti mund të krijojë një hapësirë ku kjo aromë imagjinohet dhe rikrijohet. Kur dheu i Runikut hyn në muze, ai nuk bëhet dekor apo skenografi. Ai sjell me vete një pyetje: kush ka të drejtë të jetë në qendër? Cilat vende shpallen periferi? Pse një fshat në Kosovë të mos jetë, qoftë edhe për disa minuta, qendra e botës?

Për mua, Runiku nuk është vetëm vendlindje. Është edhe metodë. Një mënyrë për ta kuptuar se historia e madhe ndodh edhe në vende të vogla.

Pamje nga instalacioni, Berlin Biennale 2012 / Foto: Uwe Walter / The Artist / ChertLüdde, Berlin

Kur nuk jeni duke ndërtuar botë të mëdha, çfarë ju kthen te thjeshtësia e ditës: një kafe, një shëtitje, një bisedë, apo ndonjë rit i vogël që nuk ka nevojë të bëhet art për të qenë i bukur?

E dua shumë kafenë, bisedat, ushqimin dhe kohën me njerëzit që i dua. E dua studion kur është e gjallë, jo vetëm kur jemi duke punuar, por edhe kur dikush bën çaj, kur qeshim, kur ndajmë ndonjë thashetheme, kur gatuajmë për njëri-tjetrin.

Jam shumë mirënjohës për studion time dhe për njerëzit që punojnë me mua: Serenan, Ferdinandin, Martinan, Hugon, Fedin, Cristinën, Lenditën, Leartin, ekipet në Kosovë dhe Berlin, si dhe shumë të tjerë. Gjërat e mëdha nuk bëhen vetëm. Edhe kur mbajnë emrin tim, ato janë gjithmonë të mbushura me energjinë e shumë njerëzve.

Dhe sigurisht, Álvaro është shumë i rëndësishëm. Ai është dashuri, bisedë, shtëpi, kritikë, humor, imagjinatë. Shumë nga mënyrat se si e kuptoj botën sot lidhen me jetën dhe punën që ndajmë.

Nga The Met te qielli i lirisë: arti që kalon kufijtë

Me “Abetare” në The Metropolitan Museum of Art, i ngritët vizatimet e fëmijëve mbi çatinë e New York-ut. A ishte ky një akt artistik, një akt politik, apo një mënyrë për t’i treguar botës se edhe gjurmët e fëmijëve të Ballkanit kanë të drejtë të prekin majat?

“Abetare” në The Met ishte një gjest shumë domethënës për mua. The Met e prezantoi si porosinë time të parë të madhe në Shtetet e Bashkuara. Ishte një instalacion skulpturor i përmasave të mëdha, i vendosur mbi çatinë e muzeut, i bazuar në vizatime, shkarravitje dhe shenja që fëmijët kishin lënë në bankat shkollore në Kosovë, Shqipëri dhe në rajon. Ato vizatime u ndërthurën me Central Parkun dhe rrokaqiejt përreth, jo me drojë, por si një shpallje.

Për mua, ishte edhe akt artistik, edhe politik. Jo politikë në kuptimin e një slogani, por në kuptimin më të thellë të saj: kush lejohet të ngjitet në çatinë e një institucioni të madh? Cilat shenja konsiderohen të vlefshme? A mund të qëndrojë mbi New York, pa kërkuar falje, një vizatim i bërë nga një fëmijë i Ballkanit?

Po, për mua ishte një mënyrë për të thënë se zërat dhe mendimet e fëmijëve kanë të drejtë t’i prekin lartësitë. Jo vetëm lartësitë arkitekturore, por edhe ato të imagjinatës.

Çfarë ndodh me një kujtesë lokale kur vendoset para një publiku në Meksikë apo Londër që nuk e di historinë tonë? A mjafton arti për ta përkthyer mallin, humbjen dhe dëbimin në një ndjenjë universale?

Kur një kujtesë lokale shkon në Mexico City, Londër, New York apo Berlin, ajo nuk duhet të bëhet “universale” duke e humbur veçantinë e vet. Nuk dua ta përkthej Kosovën deri në atë pikë sa ajo të mbetet pa emër dhe e mjegullt. Dua që publiku ta ndiejë se kjo histori vjen nga një vend i caktuar, nga një gjuhë e caktuar, nga një trup i caktuar dhe nga një dhimbje konkrete.

Por një nga fuqitë më interesante të artit është pikërisht kjo: ai mund të krijojë afërsi pa e shpjeguar gjithçka. Dikush që nuk e njeh historinë e Kosovës mund ta kuptojë mërgimin, humbjen, frikën dhe dëshirën për të fluturuar. Jo sepse të gjitha historitë janë të njëjta, por sepse mënyra si i përjetojmë ato kalon përmes ndjenjave dhe emocioneve.

Ky terren i përbashkët na lejon të kemi empati, ta vendosim veten pranë përvojës së tjetrit pa u bërë ai, por duke i kaluar kufijtë përmes ndjeshmërisë njerëzore. Dhimbja e Kosovës dhe vuajtjet e njerëzve të saj mund të bëhen një pasqyrë e shumëfishtë, ku të tjerët njohin edhe betejat e veta dhe gjejnë mënyra për t’iu afruar nevojës së tyre për liri krijuese.

“Petrit Halilaj. An Opera Out of Time”, Hamburger Bahnhof, 2025 / Kuratore: Catherine Nichols / Foto: Jacopo La Forgia / Petrit Halilaj / Hamburger Bahnhof, Berlin

Si u ndiet kur patë aeroplanin e Aeromexico të veshur me vizatimet tuaja? Për një artist nga një vend që për shumë vite u përball me kufij, a ishte ai një lloj fluturimi i parë i vërtetë drejt lirisë?

Kur e pashë aeroplanin e Aeromexico-s me vizatimet e mia, u emocionova vërtet. Ishte një moment i çuditshëm dhe shumë prekës. Një pulë fluturuese, duke kaluar kufij gjeopolitikë! Një imazh që kishte dalë nga imagjinata ime dhe tani lëvizte lirshëm në qiell.

Për dikë nga Kosova, ku kufijtë, vizat, pritjet dhe refuzimet kanë qenë pjesë e përditshmërisë sonë, një ndërhyrje e tillë nuk është vetëm projekt artistik. Është dëshmi e gjallë se si arti mund ta prekë realitetin. Ai aeroplan, me një pulë fluturuese mbi të, u bë për mua simbol lirie, një përgjigje ndaj logjikës absurde të kufijve të mbyllur dhe ndaj faktit se disa njerëz mund të lëvizin lirshëm nëpër botë, ndërsa të tjerëve u kufizohet rëndë lëvizja.

Një “pulë politike” që fluturon pa kërkuar leje dhe pa pasur nevojë për vizë më bën të qesh, por njëkohësisht më prek thellë.

Kosova e sotme, trupi dhe hapësirat e lirisë

Kosova e sotme po ndryshon shpejt dhe kërkon të shihet edhe jashtë hijes së luftës. A ndieni se mes Kosovës së kujtesës suaj dhe Kosovës së sotme po krijohet një distancë, apo pikërisht aty lind një tension i ri krijues?

Kosova po ndryshon shumë shpejt. Megjithatë, është e rëndësishme që si komunitet të mos mbetemi përgjithmonë nën hijen e luftës dhe të mos e përcaktojmë veten vetëm përmes traumës që bartet nga një brez në tjetrin. Kujtesa duhet të ruhet në mënyrë kritike dhe të jetë pjesë e jetës së përditshme, duke hapur pyetje për identitetin, shtetësinë dhe përpjekjet tona për të ardhmen. Ajo nuk është diçka e ngrirë, por një mjet i gjallë për ndërtimin e komunitetit.

Ndiej një tension të ri mes Kosovës së kujtesës sime dhe Kosovës së sotme. Por ky tension është krijues, sepse Kosova nuk është vetëm ajo që ka ndodhur në të kaluarën. Është edhe ajo që po ndërtojmë tani. Prandaj Fondacioni Hajde! është shumë i rëndësishëm për mua. Hajde është një mënyrë për të mos e parë kulturën vetëm si ngjarje të rastit, por si projekt afatgjatë.

Arti aty bëhet infrastrukturë, kujdes, hapësirë për artistë dhe komunitete, një vizion për Runikun, për Prishtinën dhe për të ardhmen. Fondacioni e zhvillon punën e tij përmes programeve, rezidencave, hapësirës në Grand Hotel Prishtina dhe ringjalljes së Shtëpisë së Kulturës në Runik.

Tani edhe Bubble X, klubi i parë queer në Kosovë, është pjesë e kësaj përpjekjeje kolektive krijuese. Sepse kultura nuk ndodh vetëm në muze. Ajo ndodh në klub, në restorante, në jetën e natës, në rrugë, kudo ku dikush më në fund ndihet i lirë të ekzistojë. Në një vend si Kosova, hapësirat queer nuk janë vetëm vende argëtimi apo kënaqësie. Ato janë mënyrë kremtimi, mbrojtjeje kolektive dhe hapësirë ku politika dhe dashuria takohen.

Petrit Halilaj, “Syrigana. An opera in five acts by Petrit Halilaj”, Syrigana, 2025 / Foto: Arben Llapashtica / ChertLüdde, Berlin / Petrit Halilaj / Kurimanzutto, Mexico City / Mennour, Paris

Shtëpia si plagë, fole dhe vend pa frikë

Shtëpia në krijimtarinë tuaj është herë plagë e herë fole. Pasi e keni rindërtuar dhe bartur në muze, ku ndodh sot shtëpia për ju: në Runik, në gjuhë, në trup, në dashuri, në kujtesë, apo në art?

Shtëpia për mua nuk është më vetëm një adresë. Ajo ka marrë kuptime të shumta dhe nuk është thjesht një ndërtesë e vendosur diku në një hapësirë fizike. Është Runiku, po. Është Kosova, po. Por është edhe gjuha, trupi, dashuria, Álvaro, familja, studioja, miqtë, Hajde, Bubble dhe arti.

Shtëpia mund të jetë plagë, sepse një shtëpi mund të digjet, mund të humbet, mund të mbetet vetëm si kujtim. Por shtëpia mund të jetë edhe fole, mund të rindërtohet dhe të bartet. Mund të transportohet brenda një muzeu, të bëhet aq e madhe sa një operë, aq e qetë sa një kopsht zogjsh, aq e gjallë sa një klub queer, ose aq e thjeshtë sa një tryezë ku njerëzit hanë bashkë.

Ndoshta sot shtëpia për mua është kudo ku njerëzit mund të vijnë pa frikë. Aty ku një trup nuk duhet të tkurret apo të fshihet për të qenë i pranueshëm.

Pamje nga instalacioni, Berlin Biennale 2012 / Foto: Uwe Walter / The Artist / ChertLüdde, Berlin

Letra për fëmijën që vazhdoi të vizatonte

Nëse do t’i shkruanit sot një letër djaloshit 13-vjeçar në kampin e Kukësit, çfarë do t’i thoshit: të mos ketë frikë nga dhimbja, të mos turpërohet nga ëndrra, apo thjesht të vazhdojë të vizatojë edhe kur bota duket se nuk dëgjon?

Do t’i thosha: vazhdo të vizatosh. Jo sepse arti do t’i zgjidhë të gjitha menjëherë. Jo sepse bota gjithmonë do të dëgjojë. Por sepse vizatimi është një përgjigje ndaj harresës dhe një mënyrë për të mos lejuar që gjërat më të rëndësishme të zhduken.

Do t’i thosha: mos u turpëro nga ëndrrat dhe frikat e tua. Mos u turpëro nga zogjtë dhe lulet, nga lotët dhe malli për një jetë plot ngjyra. Një ditë, gjërat që po i vizaton në një kamp refugjatësh do t’u flasin njerëzve që as nuk i ke imagjinuar.

Do t’i thosha edhe këtë: mos lejo që forca të jetë i vetmi rezultat i dhimbjes. Lejo që ajo të të bëjë edhe të butë. Sepse butësia është një qëndrim shumë radikal, sidomos pas dhunës dhe imperializmit, kur dikush është përpjekur të ta marrë shtëpinë, gjuhën, kujtesën dhe trupin. Qëndresa mund të shfaqet edhe përmes butësisë.

Dhe në fund do t’i thosha: një ditë do ta kuptosh se nuk ke qenë vetëm. Familja jote do të jetë aty. Miqtë do të jenë aty. Edhe të panjohur do të të ndihmojnë. Dashuria do të vijë. Studioja do të bëhet dëshmi se një trup kolektiv është i mundur.

Dhe ti do të vazhdosh ta krijosh botën tënde, sipas kushteve të tua. Ai vizion do të takojë idetë e të tjerëve, ashtu si edhe ti do të frymëzohesh prej tyre. Në vend që të ikësh nga bota, ky ushtrim i krijimit të saj do të bëhet mënyrë për ta bërë atë më të jetueshme për të gjithë. /Telegrafi/