eksperti ad

Një video po qarkullon në mediat sociale që tregon Houthi jemenas, rebelë të mbështetur nga Irani, që dyshohet se zbarkojnë me një helikopter në një anije mallrash në Detin e Kuq dhe e marrin nën kontroll atë.

Videoja tregon persona të armatosur duke zbritur nga helikopteri dhe duke rrëmbyer Galaxy Leader në jug të Detit të Kuq. Houthis pretendojnë se anija është e lidhur me Izraelin, transmeton Telegrafi.


Megjithatë, Izraeli thotë se anija ishte në pronësi britanike dhe operohej nga japonezët. Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, pretendon se ky është një akt i terrorizmit iranian.

Houthi-t janë pjesë e një aleance rajonale të lidhur me Iranin që përfshin gjithashtu Hamasin dhe Hezbollahun e Libanit, megjithëse nuk ka asnjë provë që Teherani urdhëroi sekuestrimin e anijes dje.

Houthi-t paralajmëruan sërish gjatë fundjavës se do të synonin "të gjitha anijet" të lidhura me Izraelin. Jahja Sarea, zëdhënësi i tyre ushtarak, tha në Twitter se ishte një përgjigje ndaj "agresionit izraelito-amerikan", dhe se kjo nënkuptonte anije që mbanin flamurin izraelit ose të operuara nga kompani izraelite.

Sarea u bëri thirrje shteteve që të mos lejojnë shtetasit e tyre të punojnë në këto anije, si dhe të ndërpresin bashkëpunimin me to. /Telegrafi/