LAJMI I FUNDIT:

Heshtje institucionale për gjetjen e një pjese të mostrave të Deharit – gjithçka që dihet për rastin

Heshtje institucionale për gjetjen e një pjese të mostrave të Deharit – gjithçka që dihet për rastin

Një pjesë e mostrave të ish-aktivistit të vdekur të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Deharit, janë gjetur brenda Institutit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë (IML), aty ku edhe u zhdukën në dhjetor të vitit të kaluar.

Telegrafi raportoi të premten se mostrat ishin zhvendosur nga laboratori i toksikologjisë, në një frigorifer tjetër brenda IML-së.


Duke iu referuar burimit, mostrat e gjetura janë të lukthit dhe të urinës, ndërsa mungojnë mostrat e gjakut.

“Komisioni për inventarizim i ka gjetur në një frigorifer që nuk është i mbuluar prej kamerave të sigurisë. Hetuesit e policisë janë duke punuar me kapacitete të plota për të zbuluar se si kanë përfunduar në atë frigorifer gjysma e mostrave të Deharit”, bëri të ditur një burim i Telegrafit.

Laboratori i Toksikologjisë, në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML)

Heshtje institucionale për rastin

Në momentin që Telegrafi mori informacionin e sigurt nga burimi, filloi përpjekjet për të rënë në kontakt me prokurorin e rastit, Agim Shefkiu, Prokurorinë Speciale, Ministrinë e Drejtësisë (MD), Policinë e Kosovës dhe zëvendësdrejtorin e IML-së, Ditor Haliti, por pa sukses. Asnjë nga akterët, përveç ministrisë, nuk iu përgjigj telefonatave e as nuk ktheu përgjigje në pyetjet e dërguara.

Nga MD-ja i thanë Telegrafit se për këtë rast mund të përgjigjen vetëm Policia dhe Prokuroria, pasi këto dy institucione kanë nisur hetimet që zhdukja e mostrave të dhjetor.

Për rastin reagim nuk ka pasur nga presidentja Vjosa Osmani e as nga kryeministri Albin Kurti.

Reagimet

Pas raportimit të Telegrafit dhe disa mediave, i pari që reagoi ishte avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi, por as ai nuk ka dha ndonjë detaj që do t’i shërbente informimit të qytetarëve.

Avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi

“Po thonë u gjetën…! Disa gazetarë po më pyesin se a janë gjetur mostrat e Astrit Deharit. Unë po ju them se nuk e di. Po nëse ju e din që janë gjetur a e dini kush është nën hetime apo në burg për zhdukjen e mostrave nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Prishtinë”, shkroi Gashi në Facebook.

Ndërsa, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili, teksa e komentoi këtë rast, tha se është “terror serik mbi drejtësinë”.

“’Zhduken’ mostrat e Astrit Deharit. Tani qenkan ‘kthyer’ në një frigorifer pa qasje në kamera. Për çfarë shteti po flasim? Për çfarë drejtësie po flasim? Për çfarë hetime po flasim? Kjo nuk është shokuese. Kjo është terror! Terror serik mbi drejtësinë!”, shkroi ajo në Facebook të shtunën.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili

Si u zhdukën mostrat e Deharit?

Më 8 dhjetor 2022, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, doli në konferencë për media dhe njoftoi se janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit nga laboratori i toksikologjisë në IML.

Ajo tha se ky akt i rëndë është vërejtur gjatë bartjes së mostrave nga frigoriferët e vjetër në ata të rinj.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu
Rasti Dehari dhe zhdukja e mostrave në IML – çfarë dihet deri më tani
Lexo po ashtu Rasti Dehari dhe zhdukja e mostrave në IML – çfarë dihet deri më tani

MD-ja më pas njoftoi se ka pezulluar nga puna katër zyrtarë të IML-së në lidhje me rastin.

Komisioni disiplinor i Institutit për Mjekësi Ligjore kishte marrë vendim për pezullim nga puna të zyrtarëve: Nardi Sheqergjiu, toksikolog mjekoligjor në Institutin për Mjekësi Ligjore, Flutura Goga, udhëheqëse e laboratorit të toksikologjisë në Institutin për Mjekësi Ligjore. Anila Lakna, teknike e laboratorit të toksikologjisë në Institutin për Mjekësi Ligjore, dhe Ilirjana Shala, kimiste në Institutin për Mjekësi Ligjore. Pas suspendimit, të njëjtit janë rikthyer sërish në punë.

Ditor Haliti, zv.drejtor i Institutit të Mjekësisë Ligjore, më herët ka deklaruar se katër punëtorët e suspenduar me vendim të komisionit disiplinor me 8 dhjetor të vitit 2022, janë rikthyer në punë.

Zëvendësdrejtori i IML-së, Ditor Haliti

Ndërkohë, kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Haki Abazi, njëherësh deputet në Kuvendin e Kosovës, Haki Abazi me 16.02.2023, ka kërkuar nga Prokuroria që të merret në pyetje kryeministri i vendit Albin Kurti për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit, nga Instituti i Mjekësisë Ligjore (IML).

Abazi gjatë një konference për media ka kërkuar po ashtu që Prokuroria të marrë në pyetje edhe ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiun si dhe Dejona Mihalin, Nazlie Balajn dhe Flutura Gogaj Bajrami.

“IML-ja është në monitorim me kamera 24 orë. Dhe thash që prokuroria duhet të marr në pyetje Albin Kurtin, Dejona Mihalin, Albulena Haxhiun, Nazlie Balaj dhe Flutura Gogaj Bajrami. Rasti i Deharit është shumë i rëndë për tu mbajtur mbi supet e qytetarëve që kërkojnë drejtësi. Dhe platforma e LVV-së ka qenë që drejtësia duhet të dal në dritë”, ka thënë ai, raporton Telegrafi.

Po ashtu Abazi ka pyetur se si është e mundur që të zhduken mostrat e Deharit dhe kryeministri Kurti mos të thotë asnjë fjalë.

“Ne as si shoqëri, si qytetarë e as si deputet nuk mund të rrimë të heshtur përball një procesi të këtillë. Të gjithë duhet ta kryejmë punën që na takon. IML-ja është e monitoruar 24 orë prej kamerave. Dihet qartë se kush ka hyrë te frigoriferi se kush i ka nxjerr mostrat dhe janë zhdukur, rrjedhimisht porosia ime për Haxhiun është që të kryej punën e saj si ministre, që ka obligim si ministre para Kuvendit të Kosovës”, ka deklaruar ai.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi

Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, u gjet i vdekur në qelinë e burgut në Prizren në nëntor të vitin 2016, ku po mbahej i paraburgosur nën dyshimin se kishte kryer sulm ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës bashkë me disa aktivistë të tjerë.

Që nga ajo kohë vazhdon të mbetet ende një rast i pazgjidhur. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Çka tha diplomati slloven Zhbogar në OKB që u irritua Vuçiqi?

Çka tha diplomati slloven Zhbogar në OKB që u irritua Vuçiqi?

Lajme
Kërkesat e shumta për dokumente personale, MPB zgjat orarin për ofrimin e shërbimeve - do të punohet edhe të shtunave

Kërkesat e shumta për dokumente personale, MPB zgjat orarin për ofrimin e shërbimeve - do të punohet edhe të shtunave

Lajme
Organizatori i protestave anti-Vuçiq në Beograd, Manojloviq: Unë jam gjallë falë besës së shqiptarit

Organizatori i protestave anti-Vuçiq në Beograd, Manojloviq: Unë jam gjallë falë besës së shqiptarit

Lajme
Djegia e shtëpisë dyshohet të jetë shkaktari i vrasjes së djeshme në Pejë – viktima dhe i dyshuari ishin miq

Djegia e shtëpisë dyshohet të jetë shkaktari i vrasjes së djeshme në Pejë – viktima dhe i dyshuari ishin miq

Jehona Hulaj
Arrestohen 17 persona në Serbi, falsifikonin dokumente të pronave të serbëve për shqiptarët nga Kosova

Arrestohen 17 persona në Serbi, falsifikonin dokumente të pronave të serbëve për shqiptarët nga Kosova

Lajme
KSHZ pas numërimit të 99.85% të votave, Osmani 13.36%, Taravari 9.21%

KSHZ pas numërimit të 99.85% të votave, Osmani 13.36%, Taravari 9.21%

Politikë
Kalo në kategori