LAJMI I FUNDIT:

Heilbronn: Integrimi i Maqedonisë së Veriut në BE kyçe për zhvillimin ekonomik

Heilbronn: Integrimi i Maqedonisë së Veriut në BE kyçe për zhvillimin ekonomik

Nënkryetari i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Pierre Heilbronn, në një konferencë për shtyp me kryeministrin Zoran Zaev, tha se procesi i anëtarësimit në BE të Maqedonisë së Veriut është i një rëndësie të madhe për institucionin e tij dhe në përgjithësi për klimën e biznesit në vend.

“Ju keni nevojë për stabilitet për investitorët”, tha Heilbronn, duke treguar për efektet pozitive të marrëveshjes së Prespës mbi ekonominë, investimet dhe tregtinë.

Ai shtoi se integrimi në BE është gjithashtu vendimtar në mbajtjen e ritmit me reformat e nevojshme që do të “zhbllokojnë potencialin” e vendit. Në këtë drejtim, tha nënkryetari i BERZH-it, hapja e negociatave do të ishte një hap që do të bënte ndryshime dhe se banka do të vazhdojë të mbështesë Maqedoninë e Veriut në këtë rrugë.

“Procesi i anëtarësimit në BE është mënyra më e mirë për të nxitur reformat”, tha Heilbronn.

Heilbronn kujtoi se përveç zhvillimit ekonomik, për bankën është me rëndësi të madhe edhe kujdesi për mjedisin gjatë investimeve dhe projekteve./Telegrafi/