ChatGPT Image Jul 7, 2026, 10_39_06 AM

Anglia u eliminua në mënyrë dramatike nga Kupa e Botës 2026, pasi humbi 2-1 ndaj Argjentinës në gjysmëfinale, pavarësisht se ishte në epërsi deri në minutat e fundit të takimit.

"Tre Luanët" kaluan në avantazh në minutën e 55-të me golin e Anthony Gordon, por Argjentina përmbysi gjithçka me golat e Enzo Fernandez në minutën e 86-të dhe Lautaro Martinez në minutën e dytë të kohës shtesë.


Pas ndeshjes, kapiteni i Anglisë, Harry Kane, nuk e fshehu zhgënjimin për mënyrën se si skuadra e tij e humbi mundësinë për të luajtur në finalen e madhe.

"Jam i shkatërruar për lojtarët, për stafin dhe për tifozët. Luajtëm një ndeshje të mirë dhe për pjesën më të madhe ishim skuadra më e mirë. Por sapo kaluam në epërsi, dukej sikur u përpoqëm vetëm ta mbronim rezultatin dhe kjo nuk mjafton në këtë nivel", tha Kane.

Sulmuesi anglez vlerësoi përkushtimin e bashkëlojtarëve, por pranoi se në fund nuk ishte e mjaftueshme.

"Punuan jashtëzakonisht shumë për të arritur deri këtu. Djemtë derdhën gjak, djersë dhe lot, por në fund nuk mjaftoi."

Kane analizoi edhe rënien e skuadrës pas golit të shënuar, duke theksuar se Anglia humbi kontrollin e lojës.

"E patëm të vështirë të ushtronim presion ndaj topit. Në pjesën e parë dhe në fillim të së dytës e bëmë këtë shumë mirë dhe kontrolluam ndeshjen. Por pas golit tonë, ata shtynë më shumë lojtarë përpara dhe ne nuk arritëm t'i përballonim. Bllokuam shumë gjuajtje, por në fund kjo nuk mjaftoi."

Kapiteni anglez zbuloi se mesazhi nga stafi teknik pas golit ishte që skuadra të vazhdonte të sulmonte, por kjo nuk u reflektua në fushë.

"Qëllimi ishte të vazhdonim të sulmonim dhe të kërkonim golin e dytë. Kur ata shënuan dy golat, u përpoqëm të reagonim, por nuk mundëm të riktheheshim."

Në fund, Kane pranoi se Anglia vazhdon të jetë pranë suksesit të madh, por ende nuk po arrin ta kapërcejë hapin e fundit.

"Kishim momente shumë të mira në këtë Botëror. Arritëm edhe një herë në gjysmëfinale. Jemi afër, po trokasim në derë, por ende nuk po arrijmë ta kalojmë pragun. Na mungon ajo pjesa e fundit e enigmës", përfundoi kapiteni i Anglisë./Telegrafi/

telegrafi sport app