LAJMI I FUNDIT:

Hapja e sesionit parlamentar në Shqipëri, presidenti Begaj përcjell mesazh për deputetët

Hapja e sesionit parlamentar në Shqipëri, presidenti Begaj përcjell mesazh për deputetët

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj i është drejtuar me një mesazh Kuvendit të Shqipërisë, me rastin e çeljes së sesionit parlamentar.

Teksa i uron deputetëve një fillim të mbarë të sesionit të ri parlamentar, Presidenti Begaj shpreh vlerësimin për punën dhe inciativat e parlamentit, në mazhorancë apo opozitë, dhe nënvizon se çelja e këtij sesioni e gjen Shqipërinë përpara sfidave për zgjidhjen e të cilave Kuvendi ka një rol thelbësor.


Duke u ndalur te cilësia e dialogut politik, Presidenti Begaj vlerëson se cilësia e shkëmbimeve të ideve mes krahëve politike, po aq sa përfshirja në diskutime konstruktive, fatkeqësisht lë ende shumë për të dëshiruar. “Dua t’ju përcjell kërkesën e qytetarëve tanë, të cilët kanë nevojë që t’ju shohin e t’ju dëgjojnë tek diskutoni për të tashmen e të ardhmen e tyre, pa humbur kohë me personalizimin e debateve dhe fyerje reciproke, skena këto që i zhgënjejnë, i bëjnë pesimist dhe i distancojnë ata nga politika”, shprehet Presidenti Begaj.

Presidenti e konsideron një problem serioz atë të emigrimit të të rinjve dhe të shtetasve të mirëedukuar e mirëkualifikuar.

“ Promovimi i rritjes ekonomike gjithpërfshirëse, me qëllim që të përfitojnë të gjithë shqiptarët kërkon konkurrencë të ndershme, çmime të pranueshme, shërbime cilësore dhe personel të mirëedukuar dhe të mirëkualifikuar,” – thotë në mesazhin e tij Presidenti.

Sipas Kreut të Shtetit, problemeve të zhvillimit ekonomik apo të mosshfrytëzimit të potencialit territorial në disa zona, i shtohen edhe problemet me sistemin arsimor, shëndetësor, si dhe të shërbimeve administrative e sociale.

Barazia gjinore është gjithashtu një çështje e rëndësishme në nivel kombëtar. Teksa në nivel përfaqësimi, sektori publik ka hedhur hapa pozitivë, përmirësimi i legjislacionit për barazinë gjinore nuk e ka ndryshuar situatën e grave në vështirësi ekonomike dhe keqtrajtimi e dhuna mbeten prezente.

Në mesazhin e tij Presidenti Begaj përmend edhe lirinë e medias, që ka rol thelbësor në një shtet demokratik, ndaj gazetarët duhet të kenë çdo mundësi të raportojnë të lirë, si punën e organeve publike, ashtu edhe problematikat e qytetarëve.

Duke u ndalur tek drejtësia, Presidenti Begaj shprehet se: “Rezultatet e reformës në drejtësi janë të dukshme dhe është e domosdoshme që të gjitha forcat politike dhe përfaqësuesit e tyre në Kuvendin e Shqipërisë, njëzëri të ofrojnë mbështetje për përparimin e kësaj reforme që i vendos fjalën epilog tranzicionit dhe shënjon një vijë të qartë ndarëse mes të kaluarës dhe së ardhmes.”

Në vëmendjen e Presidentit Begaj në mesazhin drejtuar Kuvendit janë dhe sfidat e sigurisë, ku veçon atë të sigurisë kibernetike. “Sulmet e përsëritura kanë treguar se jemi ende të brishtë ndaj luftës hibride dhe mbrojtjes së kufijve në sistemet digjitale. Ju ftoj të rishikoni dhe të hartoni dokumente strategjike, si Strategjia Kombëtare e Sigurisë Kibernetike, si dhe të miratoni akte konkrete për të garantuar sigurinë dhe mbrojtjen e vlerave dhe interesave kombëtare” , shkruan Begaj.

Në kuadrin e sfidave të sigurisë dhe të politikës së jashtme, Presidenti ripërsëriti se Aleanca Euroatlantike është boshti dhe themeli i politikës së jashtme dhe asaj të mbrojtjes të Shqipërisë, dhe se integrimi evropian është dhe mbetet prioritet strategjik. Roli dhe përgjegjësitë e Kuvendit mbeten të patjetërsueshme për përparimin e axhendës evropiane dhe për përafrimin e legjislacionit me atë të BE-së.

Presidenti Begaj thekson në fjalën e tij se: “Orientimi ynë i qartë euroatlantik është një shtysë më tepër për të qenë faktor paqeje e mirëqenieje në rajon, ku Shqipëria qëndron e vendosur në mbështetje të integritetit territorial të Kosovës dhe të së ardhmes së saj euroatlantike, sikurse edhe ndaj faktorit shqiptar në tërësi. Ndaj, një ndërveprim edhe më i ngushtë bazuar në interesat kombëtarë është i nevojshëm në këtë drejtim.”

Kreu i Shtetit fton deputetët në aktivizimin më të madh të diplomacisë parlamentare, veçanërisht në forcimin e faktorit shqiptar në rajon, i cili është element kyç në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë: “Duhet të bëjmë gjithçka që mundemi, me frymë e vizion euroatlantik, në mënyrë që shqiptarët kudo që jetojnë në rajon të gëzojnë të gjitha të drejtat e tyre.”

Në fund të mesazhit të tij, Presidenti Begaj ndalet dhe tek diaspora, të cilën e konsideron aset të vyer të vendit, dhe që meriton të jetë e integruar plotësisht në jetën politike, ekonomike dhe shoqërore të vendit. “ Qeveria, Parlamenti, bashkë me Institucionin e Presidentit, duhet të bashkërendojnë forcat që diaspora të kthehet në burim zhvillimi për vendin. Një hap themelor në këtë drejtim është marrëveshja për kuadrin ligjor, që do të realizojë bërjen realitet të votimit të shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit, jo më vonë se në zgjedhjet e ardhshme”, shprehet Presidenti Begaj. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Ngacmimet seksuale, Salihaj: Në vitet e 70-a profesorët e UP-së kishin shtretër nëpër kabinetet e tyre

Ngacmimet seksuale, Salihaj: Në vitet e 70-a profesorët e UP-së kishin shtretër nëpër kabinetet e tyre

Arsim
A do t'i

A do t'i "shpëtojë" Albin Kurti Asociacionit të komunave me shumicë serbe, flasin analistët

Lajme
Suspendimi i profesorit Krasniqi pas akuzave për ngacmim seksual, dekani i Fakultetit të Edukimit tregon detaje të vendimit

Suspendimi i profesorit Krasniqi pas akuzave për ngacmim seksual, dekani i Fakultetit të Edukimit tregon detaje të vendimit

Arsim
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme
Ndalohet një shtetas i Kosovës në Maqedoni, kërkohej nga Interpoli

Ndalohet një shtetas i Kosovës në Maqedoni, kërkohej nga Interpoli

Kronikë e Zezë
Kurti takon ministren e Jashtme gjermane, falënderon Gjermaninë për mbështetjen e Kosovës drejt anëtarësimit në KiE

Kurti takon ministren e Jashtme gjermane, falënderon Gjermaninë për mbështetjen e Kosovës drejt anëtarësimit në KiE

Lajme
Kalo në kategori