eksperti-banner

Jusuf Ulaj e përmbylli mandatin e drejtorit të QKUK-së. Ai prej sot fillon një “jetë të re”. Nëse do t’i përkushtohet në tërësi profesionit të tij, atëherë si psikiatër nuk do ta ketë edhe keq.

Njerëzit në QKUK, por edhe në spitalet e tjera në Kosovë hyjnë të sëmurë fizikisht, por shumë nga ta dalin të sëmurë psikikisht. Gati të njëjtën gjë e pati thënë edhe vetë kryeministri Hashim Thaçi, pas një vizite që i pati bërë QKUK-së.

Mjekët u irrituan kur kryeministri tha se njerëzit hyjnë të sëmurë në QKUK e dalin edhe më të sëmurë. Por, këtu ka diçka të vërtetë, edhe pse kryeministri dhe Qeveria që ai e drejton më shumë patën mbështetje verbale për spitalet dhe shëndetësinë sesa që bënë diçka konkrete.

Derisa po përflitet se në vend të Ulajt do ta vijë një njeri që më shumë është i njohur në politikë sesa në mjekësi (Izet Sadiku), mund të thuhet lirshëm se psikiatri Ulaj nuk e kishte edhe të lehtë ta mbante detyrën e drejtorit.

Por, a do të mbahet në mend Ulaj si menaxher i mirë apo i keq, është çështje e shijeve të njerëzve. Sado që QKUK-ja meriton ta këndojnë kumritë, drejtori e kishte ngritur zërin dhe i kishte rrapëlluar tavolinat e Ministrisë së Shëndetësisë sa herë që nevojat më banale i kërcënonin QKUK-në dhe pacientët.

Madje, ai nga shumëkush që frekuentonte rrallë QKUK-në shihej si tendencioz dhe reagimet e tij dukeshin më tepër si shprehje e inateve personale karshi ministrit Alush Gashi dhe kabinetit të tij.

Me gjithë apetitet e mëdha të Ministrisë së Shëndetësisë për ta shkarkuar Ulajn, kabineti kishte hequr dorë nga një vendim i tillë, pasi në publik do të dukej si kabinet ngatërrimtar, po qe se do të shkarkonte, do të shkarkonte, do të shkarkonte…

Për rezultat, Ulajt iu shtrua zullumi nga lart, duke mos e përkrahur për asnjë gjë. Por, as drejtori s’i përtoi kësaj loje. Edhe ai mezi priste të përballej në publik me ministrin Gashi dhe klikën e tij. Këto s’i kushtuan asgjë as Ulajt e as kabinetit. Por, pacientët dhe stafi mjekësor e bartën barrën e rëndë të tekeve të ndërsjella.

Izet Sadiku, këshilltar i ministrit Sadri Ferati, është personi që thuhet se do ta menaxhojë QKUK-në. Mbase do të jetë një tjetër, por këtij i ka dalë “zëri” në publik. Tashmë është e qartë se nuk është edhe aq me rëndësi kush është në krye të QKUK-së (edhe pse do të duhej të ishte), por kush është më i dëgjueshëm për Qeverinë dhe kabinetin e ministrit të shëndetësisë.

Nëse Izeti apo cilido që mund të zgjidhet ka vendosur të dëgjojë gjithçka që i thonë nga lart, atëherë kuku për të dhe për pacientët.

Nëse pasardhësi i Ulajt nuk do ta kthejë kuptimin e drejtorit të QKUK-së dhe mbështetjen e munguar nga lart, duke i sfiduar ministrinë dhe Qeverinë me kërkesat e pacientëve, është mirë që të tërhiqet në fillim. Disa nga mediat raportuan se drejtori i ardhshëm do të jetë njeri i Gashit.

S’do ta paragjykojmë pasardhësin. Por, t’i urojmë atij dhe pacientëve kosovarë të mos i kukasin qyqet e as t’i këndojnë kumritë!