Granada e ka regjistruar fitoren e tretë sezonale duke e mposhtur Barcelonën (2-0) në ndeshjen e javës së pestë të kampionatit spanjoll që u zhvillua në Estadio Nuevo Los Carmenes.

Rezultati u zhbllokua që në minutën e dytë të takimit kur top shkoi në drejtim të Ramon Azeez, i cili reagoi për ta futur në rrjetë.

Festa e lojtarëve të Granadas (Foto: Aitor Alcalde/Getty Images/Guliver)

Antonio Puertas pati një rast të mirë për ta dyfishuar rezultatin, mirëpo intervenoi portieri mysafir dhe gjysma e parë u mbyll me epërsinë minimale të vendasve.

Me të filluar pjesa e dytë, në lojë u inkuadruan Lionel Messi dhe Ansu Fati, mirëpo edhe ata e kishin të vështirë që të ndikonin në ndërrimin e rrjedhës së lojës.

Lionel Messi u inkuadrua në pjesën e dytë (Foto: Aitor Alcalde/Getty Images/Guliver)

Për më shumë, Arturo Vidal e preku topin me dorë në zonë dhe me konsultimin e VAR-it, gjyqtari akordoi penallti. Alvaro Vadillo e mori përgjegjësinë dhe u tregua i saktë nga pika e bardhë (66′).

Në vazhdim, Rui Silva intervenoi për të mbrojtur një tentativë të Leo Messit, i cili pranoi një top preciz në zonë, por goditja e tij u mbrojt nga portieri vendas.

Pas pesë javësh, Granada numëron tri fitore, një barazim dhe një humbje, ndërsa me 10 pikë të arkëtuara qëndron në krye të tabelës. Pikë të barabarta kanë edhe Sevilla (me një ndeshje më pak të zhvilluar) dhe Atletico Madridi.

Pakënaqësia te lojtarët e Barcës (Foto: Aitor Alcalde/Getty Images/Guliver)

Nga ana tjetër, Barcelona ka pësuar edhe humbjen e dytë sezonale, ndërkohë që i ka fituar dy dhe ka barazuar në një ndeshje.

Në xhiron e ardhshme, Granada luan si mysafir i Real Valladolidit, kurse Blaugranët janë nikoqirë të Villarrealit. /Telegrafi/