Vushtrriasi nuk arriti të përfundoi ndeshjen ndërmjet Prishtinës dhe Llamkos Kosovës, pasi në minutën 32 gjatë një dueli me portierin vendas, u lëndua dhe me ambulancë u dërgua në spital, ku mori konfirmimin nga mjekët se kishte krisur ashtin e hundës dhe po ashtu kishte ndrydhur brinjët.

“Gjatë atij duel kam krisur hundën dhe pas kontrollimit, mjekët më thanë se kisha ndrydhur edhe brinjët. Sugjerimet janë që të pushoj tri javë”, tha Osmani për ‘Sport Plus’.


Pas këtij rasti, njërin prej sulmuesve më të mirë në vend, nuk është duke i pushuar telefoni. Ai ka pranuar shumë thirrje nga miqtë e tij e disa kanë marrë mundin edhe të vizitojnë në shtëpi. Prej tyre kishte edhe futbollistë të Prishtinës. Dyshja e kësaj skuadre, Mentor Zhdrella dhe Ahmet Haliti (dikur bashkëlojtarë te Hysi), kanë vizituar të dielën Osmanin.

“Më kanë vizituar kryesia e klubit, shoqëria dhe për këtë dëshiroj t’i falënderoj të gjithë që po më përkrahin”, përfundoi Osmani.

Labinot Osmani ishte i pakontestueshëm në formacionin bazë këtë stinor, duke zhvilluar 16 ndeshje. Sulmuesi realizoi tetë gola, ndërsa është ndëshkuar njëherë me karton të verdhë. Llamkosi e përfundoi stinorin vjeshtor në vendin e tretë me 25 pikë, tri më pakë se lideri, Ferronikeli. /Telegrafi/ 

telegrafi sport app