Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Safet Gërxhaliu, tha se mos ndërtimi i Termocentralit “Kosova e Re”, do të ishte një grusht i madh kundër zhvillimit ekonomik të Kosovës.

Gërxhaliu i cili së fundi është emëruar sekretar gjeneral në Forumin Investiv të odave ekonomike të Ballkanit Perëndimor në Trieste të Italisë, vlerësoi se ende po vazhdon që agjenda politike të jetë prezentë në Kosovës e ajo ekonomike po lihet anash.

“Është koha që vërtet ne të shohim ka e ardhmja, është shqetësuese që për hir të interesave të caktuara dhe të tregtarëve rajonal e evropian të energjisë, po ka tendenca ta dështojnë Termocentralin “Kosova e re”. Kjo do të ketë pasoja të rënda për Kosovën dhe ardhmërinë e saj”, deklaroi ai.

Gërxhaliu ka ftuar institucionet e Kosovës të dialogojnë me kompaninë fituese dhe që ky projekt të zhvillohet dhe të ec përpara dhe të mos lejojë që të dështojë një projekt gjigant ekonomike që do të hap perspektivë të qartë për zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Ai ka thënë se duhet të punohet që termocentrali “Kosova e Re”, të ndërtohet, sepse në kohë afatgjatë do të zgjidh problemin e furnizimit të energjisë elektrike dhe nuk do të varemi nga rajoni dhe vende të tjera për furnizim me energji.
Sipas tij politika e Kosovës duhet të jetë e unifikuar dhe të mos lejojë që punët e deritashme rreth termocentralit “Kosova e re”, të shkojnë dëm. /Telegrafi/