KEDS gjobitet me 65 mijë euro për përdorimin e njehsorëve me verifikim metrologjik të skaduar

Operatori për shpërndarjen e energjisë elektrike, KEDS, është ndëshkuar me 65 mijë euro gjoba administrative për përdorimin e njehsorëve elektrikë me afat të skaduar të verifikimit metrologjik.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), përmes Agjencisë së Metrologjisë së Kosovës (AMK) dhe Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, ka bërë të ditur se gjatë kontrolleve të fundit në gjithë territorin e Kosovës janë identifikuar 13 njehsorë elektrikë që ishin në përdorim pa verifikimin e vlefshëm metrologjik.
Sipas MINTI-së, për këto shkelje KEDS-it i janë shqiptuar 13 gjoba administrative, me vlerë totale prej 65 mijë eurosh.
“Si rezultat i inspektimeve të fundit, janë identifikuar 13 njehsorë elektrikë që ishin në përdorim me afat të skaduar të verifikimit metrologjik. Për këtë shkelje, operatori për shpërndarjen e energjisë elektrike, KEDS, është ndëshkuar me 13 gjoba administrative, në vlerë të përgjithshme prej 65 mijë eurosh”, thuhet në njoftimin e MINTI-së.
Ministria ka bërë të ditur se kontrollet ndaj njehsorëve elektrikë do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me qëllim garantimin e matjes së saktë të konsumit të energjisë elektrike dhe mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve.
“Aktivitetet e mbikëqyrjes do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me synim garantimin e matjes së saktë të konsumit të energjisë elektrike, mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve dhe zbatimin e plotë të legjislacionit dhe standardeve metrologjike në fuqi”, ka njoftuar MINTI.
MINTI ka ftuar qytetarët që të raportojnë çdo dyshim apo dëshmi lidhur me funksionimin e njehsorëve elektrikë përmes kanaleve zyrtare të komunikimit të kësaj ministrie. /Telegrafi/



































