Kjo ditë, shënohet edhe në Kosovë, por për dallim prej vendeve evropiane që mund të festojnë, gazetarët kosovarë nuk e kanë luksin për festë, pasi gjendja e tyre nuk është aspak e mirë, për të mos thënë e mjerueshme!

Gjendjen jo të mirë e të rrezikuar të gazetarisë sportive, trajtimin e pabarabartë dhe shpesh herë mbetjen në rrugë të gazetarëve të sportit, e konfirmuan për Gazetën Tribuna, dy gazetarët, Xhavit Kajtazi e Baki Berisha dhe kryetari i Shoqatës së Gazetarëve Sportivë Profesionist të Kosovës, Arlind Grantolli.
Xhavit Kajtazi, gazetar në shumë media dhe themelues e udhëheqës i disa gazetave ditore sportive, ka thënë për Gazetën Tribuna se gazetarët e sportit vazhdojnë të jenë të nëpërkëmbur.


“Edhe më tej gazetarët e sportit vazhdojnë të jenë të nëpërkëmbur, duke u shpërfillur, duke u paguar si mos më keq, duke u zhvlerësuar puna e tyre, duke përjetuar mbylljen e gazetave, madje edhe duke u përjashtuar nga puna nga bashibozukë të gazetarisë, që nuk kanë lidhje me gazetarinë”, ka thënë Kajtazi.

Ai nënvizoi se mbyllja e gazetave dhe mbetja pa e punë e gazetarëve është një gjë shumë e keqe që i ka ndodhur gazetarisë sportive në Kosovë.

“Nuk kemi asnjë gazetë të përditshme, as periodike sportive. Revistë jo se jo. Shumë gazetarë të sportit për shkak të mbylljes së gazetave dhe të portaleve edhe sportive, kanë mbetur pa punë. Sportistët tanë gjithandej rruzullit marrin pjesë në gara, ndërsa ato vazhdojmë t’i përcjellim me vetëm një gazetar nga vendi i ngjarjes”, përfundoi Kajtazi, që aktualisht është gazetar në televizionin Tribuna Channel.

Berisha: Gjendja është e mjerueshme

Gazetari i njohur, Baki Berisha, pozitën e gazetarëve sportivë e konsideron si të mjerueshme.

“Vet fakti se nuk kemi asnjë gazetë të përditshme sportive flet për gjendjen e mjerueshme që e ka katandisur gazetarinë sportive. Është mbase lehtë të gjenden arsyet për një gjë të tillë, por është e habitshme se si askush nuk brengoset për krizën e kapluar në gazetarinë sportive të Kosovës. Drejtuesit e medieve të ndryshme, rubrikën sportive e kanë vetëm sa për sy e faqe, andaj nuk befason fakti se gazetarët sportiv llogariten si gazetarë të rendit të dytë, krahasuar me ata të rubrikave të tjera”, ka thënë Berisha, që aktualisht nuk është i angazhuar në asnjë medium.

Ai theksoi se gazetarët e sportit vijnë në shprehje vetëm kur bëhet fjalë për ndonjë ngjarje të rëndësishme sportive, dhe kur të gjithë duan të dalin në plan të parë nga personat që merren me politikë e deri te drejtuesit e medieve, të cilët shtiren se janë të interesuar për rritjen e cilësisë në sport.

Fajtorë sipas Berishës janë edhe gazetarët, të cilët, duke u bërë shumë të dëgjueshëm dhe servilë , kodeksin e gazetarisë e kanë lënë në plan të dytë, madje, nuk duken as në ngjarje sportive, duke e parë të arsyeshme që ato të përcillen nga zyrat ku janë dhe me bindje se interneti është ai që duhet ta kryejnë punën.

Në fund, Berisha u shpreh se janë raste të shpeshta kur drejtuesit e mediave, ndërhyjnë shpesh në punën e gazetarëve, duke mos hezituar që të paraqitet e vërteta e rrejshme vetëm për interesa personale.

“Kjo është një fatkeqësi e madhe për gazetarinë sportive në vendin tonë dhe derisa të ketë gjëra të tillë, nuk mendoj se do të ketë shërim edhe për gazetarët dhe gazetarinë sportive në Kosovë”, përfundoi Berisha.

Gazetaria sportive në rrezik

Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve Sportivë Profesionist të Kosovës, Arlind Grantolli, e pranoi se gjendja nuk është e mirë dhe sipas tij problemet janë të ndryshme.

Ai tha se janë duke bërë përpjekje të mëdha që shumë shpejt të anëtarësohen në Asociacionin Ndërkombëtarë të Gazetarëve Sportivë (AIPSA) dhe sipas tij, pranimi në AIPSA do ta ndryshonte në shumë aspekte gjendjen e gazetarëve sportivë.

Edhe i pari i gazetarëve të sportit, e pohoi se trajtimi nuk është i kënaqshëm.

“Statusi i gazetarit sportiv në Kosovë, fatkeqësisht është i rrezikuar thuajse në të gjitha aspektet dhe për këtë fajtor janë të gjithë nga pak duke filluar nga komuniteti ynë, komuniteti sportiv, mediumet, shoqëria, shteti, etj. Trajtimi i mirë i një gazetari mbetët vetëm fjalë e gojës apo rresht i shkruar në letër, ngase në realitet ai vazhdimisht është i atakuar dhe njëra nga betejat e Bordit të ri të Shoqatës do të jetë që ta përmirësojë dukshëm këtë situatë e cila ndërlidhet ngushtë me punën tonë”, ka thënë Grantolli, i cili është redaktor i sportit në Kohavision.

Kryetari i SHGSPK-së nënvizoi se si shoqëri në tërësi e kemi injoruar gazetarinë sportive.
“Shikoni në të gjitha TV stacionet, Radiot, gazetat etj sporti është i fundit në radhitje por ka shikueshmëri, dëgjueshmëri apo lexueshmëri, më të madhe se shumë sektorë tjerë. Kjo tregon që puna e gazetarëve sportivë duhet të respektohet më shumë e sidomos pas ndërkombëtarizimit të sportit tonë i cili edhe ashtu në të gjitha periudhat i ka sjellë shumë suksese dhe afirmim këtij vendi, por politika e vlerëson të kundërtën dhe edhe më tutje nuk ka arritur ta dëshmojë seriozitetin e saj ndaj komunitetit tonë” u shpreh ai.

Grantolli frikësohet se nëse kjo situatë apo politikë totalisht e gabuar nuk ndryshon shpejtë, ai mendon se ka rrezik të madh që gazetaria sportive të fundoset edhe më shumë sikurse që ka ndodhur me shumë sektorë të tjerë në vendin tonë duke e humbur një traditë të madhe në interes të një politike ditore jo mirë të menduar.

Sipas të dhënave që ka Shoqata, numri i gazetarëve sportivë shkon deri në 150, përfshirë, korrespodentët, fotoreporterët, gazetarët aktualisht pa kontratë pune, etj.

Aktualisht është për të ardhur keq se si në Kosovë nuk vepron asnjë gazetë sportive dhe ky fakt nuk e shqetëson askënd/Gazeta Tribuna/

telegrafi sport app