Florentino Perez parandaloi largimin e yllit të Real Madridit këtë verë

Endrick, sulmuesi brazilian 20-vjeçar, do të vazhdojë të jetë pjesë e Real Madridit edhe këtë sezon, pasi klubi ka përjashtuar mundësinë e një tjetër huazimi.
Në këtë vendim ndikim të rëndësishëm ka pasur presidenti Florentino Perez, ndërsa trajneri José Mourinho pritet t’i japë brazilianit mundësi për të luftuar për minuta gjatë sezonit.
Vendimi i Real Madridit i jep fund mundësive që ishin shfaqur për Endrickun gjatë këtij afati kalimtar.
Aston Villa dhe Roma kishin bërë hapa konkretë për ta marrë në huazim, ndërsa interesim kishte edhe nga klube të La Ligës, si Real Betis dhe Villarreal. Megjithatë, asnjëra prej këtyre alternativave nuk e bindi Real Madridin.

Drejtuesit e klubit kanë vlerësuar si aspektin sportiv, ashtu edhe atë ekonomik, përpara se të merrnin vendimin përfundimtar.
Real Madridi pagoi 35 milionë euro fikse plus 25 milionë euro në bonuse për transferimin e Endrickut dhe e konsideron të rëndësishme vazhdimin e procesit të rritjes së vlerës së tij pas një sezoni të kaluar në huazim në Francë.
Një tjetër huazim ishte shqyrtuar seriozisht gjatë javëve të fundit. Aston Villa ishte shfaqur si një prej destinacioneve më të mundshme dhe madje kishte kërkuar informacion rreth kushteve për ta transferuar përkohësisht.
Megjithatë, Real Madridi nuk kishte garanci se trajneri Unai Emery do t’i ofronte Endrickut minutat e nevojshme për zhvillimin e tij.
Në këtë situatë, Perez ka pasur rol vendimtar. Sipas informacioneve të Abraham Romeros, presidenti mori pjesë në diskutimet me drejtuesit e klubit dhe Mourinhon, të cilat çuan në vendimin për ta mbajtur sulmuesin në skuadër.
Edhe situata sportive ka ndryshuar në favor të Endrickut.
Largimi i Gonzalo Garcias ka reduktuar konkurrencën direkte në repartin ofensiv, ndërsa dëmtimi i Rodrygos ka krijuar hapësirë për më shumë minuta në krahun e djathtë./Telegrafi/
















































