Flick iu jep shpresë tifozëve të Barcelonës: Mund ta fitojmë Ligën e Kampionëve

Barcelona nuk e ka fituar Ligën e Kampionëve që nga sezoni 2014/15, por trajneri Hansi Flick beson se skuadra e tij aktuale ka potencialin për ta rikthyer trofeun prestigjioz evropian në “Camp Nou”.
Flick i bëri këto deklarata në prag të ndeshjes së parë të Barcelonës në këtë edicion të Ligës së Kampionëve, ku katalunasit do të përballen me Feyenoordin në shtëpi, me synimin për të nisur rrugëtimin evropian në mënyrën më të mirë.
Barcelona synon gjithashtu të korrigjojë dështimet e edicionit të kaluar. Në sezonin 2024/25, skuadra e Flickut u eliminua në gjysmëfinale nga Interi, duke humbur 7-6 me rezultat të përgjithshëm.
Luis Enrique, i cili së fundmi ka fituar dy herë radhazi Ligën e Kampionëve me Paris Saint-Germainin, ishte trajneri i fundit që e udhëhoqi Barcelonën drejt lavdisë evropiane, 11 vjet më parë.
Megjithatë, pas triumfit të dytë radhazi në La Liga sezonin e kaluar dhe fillimit perfekt të këtij edicioni me katër fitore radhazi, Flick shpreson se Barcelona mund të shkojë deri në fund edhe në Evropë.
“Besoj se, në fund të fundit, klubet e mëdha ëndërrojnë për këtë. Ne e kemi cilësinë për ta fituar, por rruga është e gjatë”.

“Kemi shumë lojtarë me përvojë. Të gjithë e kanë përgjegjësinë për t’i fituar të gjitha trofetë”.
Sipas superkompjuterit të Optas, Barcelona ka rreth 9 për qind gjasa për ta fituar Ligën e Kampionëve. Para katalunasve renditen vetëm Manchester City me 12 për qind, Bayern Munich me 19 për qind dhe Arsenali me 21 për qind.
Ndeshja ndaj Feyenoordit do të jetë hera e 21-të që Barcelona e nis një edicion të Ligës së Kampionëve në shtëpi. Në 20 rastet e mëparshme, katalunasit kanë regjistruar 18 fitore, një barazim dhe vetëm një humbje. Disfata e vetme erdhi ndaj Bayern Munichut në sezonin 2021/22, kur bavarezët triumfuan 3-0.
Flick gjithashtu ka statistika mbresëlënëse në Ligën e Kampionëve. Në mesin e trajnerëve që kanë drejtuar të paktën 10 ndeshje në këtë kompeticion, gjermani ka përqindjen më të lartë të fitoreve, 72.7 për qind, si dhe mesataren më të lartë të golave për ndeshje, me tre gola.
Që nga marrja e drejtimit të Barcelonës në vitin 2024, katalunasit kanë shënuar më së shumti gola për ndeshje në këtë garë, me një mesatare prej 2.88 golash. Në 26 ndeshje, ata kanë realizuar 75 gola.
Barcelona e ka nisur gjithashtu në mënyrë perfekte sezonin e ri në La Liga, me katër fitore në katër ndeshje. Në ndeshjen e fundit, katalunasit shkatërruan Valencian 5-0, ku shkëlqyen Fermin Lopez dhe Lamine Yamal./Telegrafi/










































