Flick e telefonoi dhe e bindi: Barcelona avancon për transferimin e sulmuesit gjeorgjian

Barcelona ka nisur të përgatitet për çdo skenar në afatin kalimtar dhe, në rast se nuk arrin ta finalizojë transferimin e Julian Alvarez, klubi katalunas ka gjetur një alternativë të fortë në sulm.
Sipas raportimeve nga Spanja, Georges Mikautadze është emri që ka fituar më shumë peshë në listën e drejtuesve të Barcelonës. Sulmuesi gjeorgjian 25-vjeçar thuhet se ka dhënë miratimin e tij për një kalim të mundshëm te blaugranasit, pas kontakteve direkte me trajnerin Hansi Flick.
Flick raportohet se ka zhvilluar bisedime me Mikautadzen për t’i shpjeguar projektin sportiv të Barcelonës dhe rolin që ai mund të ketë në skuadër. Ky komunikim ka qenë vendimtar që sulmuesi të hapë derën për një transferim në “Camp Nou”.
Barcelona vazhdon ta ketë si prioritet afrimin e Alvarezit, por operacioni për sulmuesin argjentinas konsiderohet shumë i komplikuar. Për këtë arsye, drejtuesit katalunas kanë filluar të avancojnë me një plan alternativ, ku Mikautadze shihet si opsioni kryesor.

Sulmuesi gjeorgjian ka qenë prej kohësh në radarët e Barcelonës dhe përputhet me profilin që kërkon Flick për repartin ofensiv. Ai ka fituar vlerësim të madh në futbollin evropian falë aftësive teknike, lëvizshmërisë në sulm dhe aftësisë për të luajtur në disa pozita të repartit ofensiv.
Megjithatë, transferimi i tij nuk do të ishte i lirë. Barcelona vlerëson se për të nisur negociatat do të duhet të paraqesë një ofertë prej rreth 60 deri në 65 milionë euro.
Kjo shifër është më e ulët sesa ajo që do të kërkohej për Alvarez, por mbetet një investim i rëndësishëm për klubin katalunas, i cili duhet të menaxhojë me kujdes situatën financiare./Telegrafi/











































