Oklahoma City Thunder ka shënuar fitore me rëndësi në shtëpi ndaj Detroit Pistons me rezultat 123 – 110 duke mbajtur për momentin vendin e shtatë në konferencën Perëndimore.

I pakapshëm në këtë takim ishte Paul George me 30 pikë, tetë kërcime e katër asistime, ndërkaq Westbrook shtoi 19 pikë e 15 asistime duke arritur kështu që të përmbushë mesataren me triple double në një sezon për të tretin sezon rresht – një arritje që askush më parë nuk e ka bërë.

Rivali direkt për pozitë i OKC, San Antonio, triumfoi në mënyrë të fuqishme në udhëtim te Washingtoni me rezultat 129-112.

San Antonio ka një ndeshje më shumë të zhvilluar dhe një humbje më shumë se Oklahoma që ka një ndeshje më pak të zhvilluar. OKC ka edhe tri ndeshje, kurse San Antonio edhe një ndeshje. Aktualisht San Antonio mund të përballet me Golden State, kurse Oklahoma me Denverin në rrethin e parë të Playoffit.

Në ndeshjet tjera me rëndësi ishte Miami Heat që pësoi humbje duke zbritur në pozitën e nëntë me tri ndeshje të mbetura duke qenë një fitore prapa Detroitit që mban pozitën e tetë. Situatë të komplikuar ka edhe Brooklyn Nets që po ashtu ka bilanc të barabartë me Detroitin.

Heat pësuan nga Minnesota me rezultat 109-111 në udhëtim.

/Telegrafi/