FIFA publikon listën e flamujve të ndaluar për gjysmëfinalen Francë – Spanjë


FIFA ka ashpërsuar masat e sigurisë për gjysmëfinalen e Kupës së Botës mes Francës dhe Spanjës, duke publikuar një listë të flamujve dhe simboleve që nuk do të lejohen të futen në stadium.
Siç ndodh rëndom në ngjarjet e mëdha sportive, organizatorët kanë ndaluar simbolet që konsiderohen se kanë përmbajtje politike ose lidhen me ideologji ekstremiste, me synimin për ta mbajtur futbollin larg mesazheve politike.
Për ndeshjen Francë–Spanjë, në mesin e simboleve të ndaluara për tifozët spanjollë janë flamuri frankoist me shqiponjën, flamuri karlist, flamuri i Zemrës së Shenjtë dhe "Estelada", flamuri i përdorur nga lëvizja për pavarësinë e Katalonjës. Në listë përfshihen edhe simbole të tjera që lidhen me grupet e ekstremit të djathtë ose me ideologjinë fashiste.

Nga ana tjetër, lejohen flamujt zyrtarë të Spanjës dhe Francës, flamujt me emblemat e federatave përkatëse, si dhe ata me logot e ligave të futbollit.
Stafi i sigurisë në hyrje të stadiumit tha për MARCA se kontrollet do të jenë shumë të rrepta.
"Nuk dimë më shumë detaje. Na është thënë vetëm të kontrollojmë gjithçka dhe të mos lejojmë hyrjen e asnjë prej këtyre flamujve. Ky është i vetmi urdhër që kemi marrë", deklaruan punonjësit e angazhuar në kontrollet e tifozëve.

FIFA synon që atmosfera në stadium të mbetet ekskluzivisht sportive dhe të shmangen çdo provokim apo mesazh politik gjatë një prej ndeshjeve më të rëndësishme të Kupës së Botës 2026. /Telegrafi/











































