Famke Janssen kritikon Marvel-in pas mungesës së saj në “Avengers: Doomsday”: Kanë bërë një gabim


Aktorja holandeze, Famke Janssen, ka shprehur hapur pakënaqësinë e saj ndaj Marvel, pasi nuk u përfshi në filmin e ardhshëm “Avengers: Doomsday”.
Gjatë paraqitjes së saj në Spacecon 2026, ylli i njohur për rolin e Jean Grey tha se studioja “ka bërë një gabim” duke mos e ftuar të rikthehet në universin e superheronjve.
“Jam shumë e keqe në ruajtjen e sekreteve, ndaj do ta merrnit vesh menjëherë. Mendoj se kanë bërë një gabim, por hej, kush jam unë? Jam thjesht një njeri i vogël që mendon kështu”, u shpreh 61-vjeçarja në një intervistë për Nerdtropolis, shkruan DailyMail.

Janssen interpretoi Jean Grey, e njohur edhe si Phoenix, në filmin “X-Men” të vitit 2000 dhe u rikthye në vazhdimet “X2: X-Men United” dhe “X-Men: The Last Stand”.
Ajo pati gjithashtu paraqitje të shkurtra në “The Wolverine” dhe “X-Men: Days of Future Past”.

Megjithatë, emri i saj mungon në kastin e “Avengers: Doomsday”, ndonëse disa nga kolegët e saj të dikurshëm si James Marsden, Rebecca Romijn, Kelsey Grammer, Patrick Stewart dhe Alan Cumming do të rikthehen në rolet e tyre ikonike.
Në një intervistë të dhënë vitin e kaluar për Entertainment Weekly, aktorja kishte pranuar se pyetjet rreth rikthimit të Jean Grey janë të pashmangshme.

“Duhet të jem e lumtur që ky personazh vazhdon të ketë jehonë te njerëzit. Kanë kaluar shumë vite, por është bukur që publiku ende flet për të”, kishte deklaruar ajo.
Njoftimi i kastit të “Avengers: Doomsday” vitin e kaluar shkaktoi reagime të përziera te fansat, të cilët vunë re mungesën e disa personazheve të dashur, mes tyre edhe Jean Grey e Famke Janssen. /Telegrafi/














































