Fabrizio Romano konfirmon bisedimet mes Arsenalit dhe yllit të madh italian


Sipas ekspertit të transferimeve, Fabrizio Romano, Arsenali ka rifilluar bisedimet për transferimin e mesfushorit italian Sandro Tonali gjatë ditëve të fundit, ndërsa drejtuesit e Manchester United e konsiderojnë operacionin financiarisht shumë të kushtueshëm.
Reprezentuesi i Italisë pritet të largohet nga Newcastle United këtë verë, edhe pse klubi anglez thuhet se i ka vendosur një çmim prej rreth 115 milionë eurosh, sipas raportimeve nga Italia.
Romano konfirmon se Arsenal ka rihapur kontaktet për ish-mesfushorin e Milan, pasi kampionët e saposhpallur të Ligws Premier kishin shfaqur interes edhe gjatë afatit kalimtar të janarit.
“Topçinjtë” kanë kërkuar informacione mbi disponueshmërinë e Tonalit përmes disa kontakteve të zhvilluara ditët e fundit, duke e mbajtur italianin në listën e objektivave kryesore për repartin e mesfushës.

Ndërkohë, Tonali vazhdon të jetë një opsion edhe për Manchester City, megjithëse prioriteti aktual i kampionëve anglezë mbetet Elliot Anderson.
Nga ana tjetër, Manchester United është lidhur gjithashtu me një lëvizje për mesfushorin 26-vjeçar, por sipas Romanos, “Djajtë e Kuq” kanë zbehur interesimin e tyre. Arsyeja kryesore është se drejtuesit e klubit vlerësojnë se kostoja totale e marrëveshjes, përfshirë tarifën e transferimit dhe pagën e lojtarit, do të ishte tepër e lartë.
Manchester United tashmë ka siguruar një përforcim për mesfushën për sezonin e ardhshëm, pasi po përgatitet të mirëpresë mesfushorin e Atalanta, Ederson, në një marrëveshje me vlerë rreth 45 milionë euro, përfshirë bonuset./Telegrafi/




































