LAJMI I FUNDIT:

Eurozonë inflacioni rritet në 1.5%

Eurozonë inflacioni rritet në 1.5%

Inflacioni në Eurozonë u rrit lehtë, gjatë muajit shkurt, duke lehtësuar disi Bankën Qendrore Europiane, që po përgatitet të ofrojë stimuj shtesë për të përballuar një ngadalësim të papritur të ekonomisë së Eurozonës.

Sipas të dhënave të Eurostat, inflacioni në 19 vendet e monedhës së përbashkët u rrit në 1.5 për qind në shkurt, nga 1.4 për qind që ishte në janar, në linjë edhe me parashikimet e analistëve. Rritja e inflacionit u mbështet nga kostot e energjisë që vijuan tendencën në rritje. Por, inflacioni bazë, që monitorohet nga Banka Qendrore Europiane, nuk ndryshoi.


Rritja e çmimeve, duke përjashtuar produktet e paqëndrueshme si energjia dhe ushqimet, qëndroi në 1.2 për qind, shumë poshtë objektivit të Bankës Qendrore Europiane prej rreth 2 për qind. Kjo mund të përbëjë një shqetësim për BQE, sepse ka parashikuar një rritje të inflacionit bazë. Të dhënat e dobëta sugjerojnë se ecuria e inflacionit është bërë shumë e vështirë për tu parashikuar, pasi dinamika ka ndryshuar, pas krizës së borxhit në Eurozonë.

Shifrat i japin Bankës Qendrore një arsye tjetër për të shtyrë heqjen e stimujve, pasi dobësia e bllokut ka rikthyer nevojën për më shumë mbështetje. Në muaji dhjetor, BQE mbylli programin e blerjes së obligacioneve prej 2.6 trilionë euro, që synonte të ulte kostot e huamarrjes. Por, tashmë institucioni me bazë në Frankfurt po planifikon masa të reja mbështetëse, me shumë mundësi në takimin e 7 marsit.

Në një raport tjetër, Eurostat tha se papunësia në Eurozonë rezultoi në 7.8 për qind në janar, e pandryshuar krahasuar dhe dhjetorin, që është niveli më i ulët që nga tetori i vitit 2008. /Telegrafi/