Ballkani Perëndimor ka një mundësi reale të përfitojë nga trendi i zhvendosjes së prodhimit të firmave gjermane pas pandemisë. Por më parë duhet përmirësuar cilësia e arsimit.

Kështu thotë eksperti i ekonomisë, Branimir Jovanoviq duke shtuar se shumica e kompanive vendore kanë problem me zinxhirët e furnizimit.

Në një studim të Institutit Ekonomik të Vjenës, ju trajtoni potencialin e vendeve të Ballkanit për të qenë pjesë e “reshoring” – zhvendosjes së zinxhirëve të prodhimit, në rast se firmat gjermane ndryshojmë drejtimin e investimeve. Si arrini në këtë përfundim?

Ne arritëm në këtë konkluzion mbi bazën e disa burimeve. E para janë sondazhet e kompanive gjermane që operojnë jashtë. Një sondazh i marsit 2021 thotë se 40 për qind e këtyre kompanive kanë probleme me zinxhirët e furnizimit dhe 27 për qind janë duke u menduar të bëjnë ndryshime në këta zinxhirë. Natyrisht, jo të gjithë do të zhvendosin prodhimin e tyre në Ballkan, por edhe nëse një pjesë e vogël vendos të investojë në rajon, kjo do të ishte domethënëse, për shkak se vendet e Ballkanit janë vende të vogla. Burimi i dytë janë intervistat që kemi zhvilluar me agjencitë e promovimit të investimeve nga vendet e Ballkanit. Shumë nga këto agjenci thonë, se pas COVID-19, ata parashohin një rritje të interesit nga kompani të huaja, nganjëherë madje edhe nga kompani që mendojnë të investojnë në rajon, në vend të Azisë.

Përvoja me pandeminë i bën kompanitë gjermane të reflektojnë, do të thotë kjo më shumë fabrika, që prodhojnë në vendet e Ballkanit dhe jo në Azi?

Në fakt kompanitë multinacionale e kuptuan në kohën e pandemisë, se mënyra, se si ato e kanë organizuar prodhimin – duke e lëvizur gati çdo gjë në Azi mbart rreziqe. Në fillim të pandemisë botës i mungonin maska, sepse i gjithë ky prodhim kishte shkuar në drejtim të Azisë Lindore dhe pandemia i mbylli kufijtë. Ne po i shohim këto vështirësi gjithë këto kohë në 15 muajt e shkuar, më e fundit në mungesat për “chip”-a, gjë që vërtet ka goditur seriozisht industrinë e automjeteve. Arsye tjetër është, se tensionet gjeopolitike me Kinën janë në rritje, duke rezultuar në të gjitha llojet e masave proteksioniste apo edhe sanksione, që e bëjnë investimin atje gjithnjë e me më shumë rreziqe. Për të ulur këto rreziqe, kompanitë mendojnë, ose të lëvizin prodhimin nga Kina në vende të afërta me të apo të investojnë në vende afër tyre në vend të Kinës.

Pandemia COVID-19 pritet të zhvendos kompanitë evropiane nga Azia në Ballkanin Perëndimor Pandemia COVID-19 pritet të zhvendos kompanitë evropiane nga Azia në Ballkanin Perëndimor

Tingëllon shpresëdhënëse, po çfarë do të thotë konkretisht një zhvendosje e tillë e investimeve në Ballkan e cilat faktorë do të përshpejtonin atë?

Vendet e Ballkanit janë zgjedhja e parë natyrale për gjermanët dhe kompani të tjera evropiane, për këto lloj investimesh. Ato kanë koston më të ulët të prodhimit në Evropë, por ajo që është më e rëndësishme, ato janë pranë BE-së, si gjeografikisht edhe kulturalisht. Përveç kësaj ato kanë reputacionin se kanë punëtorë relativisht të mirë. Ato kanë probleme të tjera sigurisht, si historia e konflikteve dhe mungesa e stabilitetit, institucione të dobëta, infrastrukturë të varfër, apo probleme në arsimim. Të gjitha këto probleme i largojnë investitorët, por nëse qeveritë fillojnë të punojnë mbi këto probleme, investitorët do ta vlerësojnë këtë dhe vlerën e rajonit.

Le të mendojmë se kompanitë po zhvendosin prodhimin, pikërisht ky është problemi, shkollimi, sa e përgatitur profesionalisht është fuqia punëtore atje për këtë?

Ajo që gjetëm ne në studimin tonë, është se sipërmarrjet gjermane në përgjithësi kanë një mendim të mirë për punëtorët nga Ballkani, shumica nga koha e socializmit, kur vinin “gastarbeiter” të punonin në Gjermani. Por ata thonë po ashtu, se kur vijnë tani në rajon, kuptojnë, se shkollimi është injoruar për një kohë të gjatë, dhe se ata duhet të investojnë në trajnimin e punëtorëve, pasi sistemi arsimor nuk i përgatit ata sa duhet. Por ata thonë edhe se, njerëzit aty janë të aftë të mësojnë shpejt, të ndershëm, luajalë, punojnë fort, gjëra që vlerësohen shumë. Në tërësi do thosha, se njerëzit e Ballkanit kanë një potencial shumë të mirë, por qeveritë duhet të investojnë, që ky potencial të mos shkojë dëm.

Sa e vështirë do jetë për sipërmarrjet gjermane një trajnim në kualifikimin e fuqisë punëtore, kujtoj se në Ballkan sistemi dual profesional siç e ka Gjermania nuk është i zhvilluar?

Një nga rekomandimet që ne e theksojmë në studim është përmirësimi i arsimit profesional, që vendet e Ballkanit e kanë, por që është injoruar plotësisht. Ai duhet të jetë më praktik, nxënësit duhet të kenë përvojë konkrete, më e mira në sipërmarrje. Disa vende të Ballkanit janë duke punuar për këtë, pro progresi është ende i vogël.

Nga ana tjetër vendet e Ballkanit kanë një rrjedhje të fuqisë punëtore, ku do t’i gjejnë sipërmarrjet këta punëtorë?

Vendet e Ballkanit Perëndimor janë ende në gjendje të mirë në këtë drejtim, në dallim nga vendet e Evropës Qendrore. Ka ende shumë njerëz në rajon që duan punë. Problemi është se ata nuk kanë marrë shkollimin që duhet të kishin marrë, e kështu nuk janë kompletuar me aftësitë që duhen për të gjetur një punë të mirë. Prandaj e theksoj, se duhet punuar me shkollimin. Problemi tjetër është se rinia po e le Ballkanin, problemi i emigrimit është shumë i madh për rajonin, sigurisht ai nuk zgjidhet dot brenda natës, por nëse qeveritë veprojnë, kjo do të çojë në një standard më të mirë jetese e do të ulë emigrimin.

Nëse hedhim një vështrim krahasues tek vendet e Ballkanit, cila vendet e kanë këtë fuqi punëtore të mirë dhe mund të përfitojnë?

Vendet e Ballkanit janë pak a shumë të ngjashme në disa aspekte, por edhe mjaft ndryshe në të tjera. Shqipëria dhe Mali i Zi janë kryesisht vende turistike, në një kohë që vende të tjera janë bazuar në biznesin prodhues. Shqipëria dhe Mali i Zi kanë marrë në dhjetëvjeçarin e kaluar më shumë investime direkte të huaja për kokë se të gjitha vendet e tjera, por shumica ka shkuar në sektorin e patundshmërive dhe turizmit. Investimet në turizëm pa dyshim duhet të vazhdojnë, por nuk duhen neglizhuar sektorët e tjerë. Serbia ia ka dalë vitet e fundit të forcohet si qendër rajonale prodhuese, sidomos në drejtim të industrisë së automobilave, që tërheq edhe sipërmarrje të teknologjisë së lartë, hap qendra studimore dhe punon me universitetet. Këtë falë arsimit të mirë që mundën ta ruajnë pas shpërbërjes së Jugosllavisë dhe investimeve ambicioze në vitet e fundit në infrastrukturë. Por kjo nuk duhet të jetë arsye për vetëkënaqësi, sepse duhen më shumë investime ne arsim e infrastrukturë e agjendën e gjelbër. Vendet e tjera duhet të ndjekin ato rrugë, që përputhen me veçantitë e tyre.

Vendet e Ballkanit shpresojnë për zinxhirë të rinj të furnizimit Vendet e Ballkanit shpresojnë për zinxhirë të rinj të furnizimit

E rëndësishme është që këto vende të mos konkurrojnë me njëra-tjetrën, kur vjen puna për tërheqjen e investitorëve, por të përpiqen të punojnë së bashku për këtë, të ndjekin të njëjtat strategji dhe të mbështesin bashkëpunimin ekonomik rajonal. Rajoni i Ballkanit Perëndimor i bashkuar ka shumë më tepër potencial se shuma e vendeve të veçanta.

A nuk jeni shumë optimist në vlerësimet tuaja?

Që sipërmarrjet duan ta afrojnë prodhimin më afër vendeve origjinë, kjo është e qartë. Sondazhet e tregojnë këtë pa asnjë dyshim. Por që kjo të ndodhë varet se si janë alternativat që do të ofrohet në vend. Sipërmarrjet kanë nevojë për vende prodhimi që nuk janë vetëm konkurruese në drejtim të rrogave, por që janë stabile, kanë qeveri efektive, institucione funksionuese, infrastrukturë të mirë dhe forcë punëtore të mirë. Vendet e Ballkanit janë afër dhe konkurruese në drejtim të kostove, por çalojnë në drejtim të cilësisë. Nëse ato i tejkalojnë këto dobësi, ato do të përftojnë nga këto trende. Por nëse nuk bëjnë gjë e flenë, kur bota ndryshon, nuk do shohim ndonjë dallim krahasuar me periudhën para pandemisë.

Kur ju flisni për afrim të zinxhirëve të prodhimit në Ballkan e keni fjalën për një projekt të një ardhmeje të largët apo të afërt?

Nuk mund të presim që të gjitha sipërmarrjet evropiane që kanë investuar në Kinë, do të zhvendosin prodhimin në Evropë, sepse kjo është e kushtueshme. Ajo që mund të presim, është, se numri i sipërmarrjeve që do ta bëjë këtë, do të rritet vazhdimisht dhe disa prej tyre do të vijnë edhe në Ballkan. Ndoshta më e rëndësishme është, se do të shohim sipërmarrje evropiane, që kur duan të investojnë jashtë për të ulur koston e prodhimit do të zgjedhin më mirë investimin në Ballkan në vend të Kinës. Sigurisht kjo nuk do të ndodhë brenda një viti ose periudhë të shkurtër kohe, por si trend do të ndodhë përgjatë një periudhe më afatgjatë, ndoshta dekadën tjetër ose më vonë. /Deutsche Welle/