LAJMI I FUNDIT:

Vendet e Ballkanit shpresojnë për zinxhirë të rinj të furnizimit

Vendet e Ballkanit shpresojnë për zinxhirë të rinj të furnizimit

Shumë kompani gjermane po i rimendojnë zinxhirët e tyre të furnizimit, që kur dobësitë e tyre dolën në pah gjatë pandemisë COVID-19.

Evropa Lindore dhe Ballkani Perëndimor duan të përfitojnë nga kjo. Megjithatë ka një “por” të madhe.


Si duhet të ndryshojnë zinxhirët e furnizimit në mënyrë që të bëhen më pak të ndjeshëm ndaj ndërprerjeve, sesa gjatë pandemisë? Një përgjigje e mundshme: ndoshta do të ishte më mirë që furnizuesit dhe qendrat e prodhimit të mos jenë shumë larg selisë së kompanisë.

Kur kompanitë rikuperojnë investimet e tyre, kjo quhet “reshoring” ose “nearshoring” në zhargonin e industrisë. Reshoring në thelb është procesi i kthimit të prodhimit dhe të prodhimit të mallrave në vendin e origjinës së kompanisë.

Për kompanitë gjermane kjo mund të nënkuptojë: më pak furnizues në Azi, më shumë në Evropën Lindore dhe Juglindore. Në këtë rajon aktualisht ka shpresa të mëdha për investime nga Gjermania.

Sidoqoftë, nga kjo nuk shihet ende asgjë, por që nuk është për t’u habitur përballë pandemisë që nuk ka përfunduar ende.

“Deri tani, pandemia COVID-19 nuk ka pasur pothuajse asnjë efekt në Reshoring dhe Nearshoring në Evropën Qendrore, Lindore dhe Juglindore. Vitin e kaluar, Investimet e Huaja Direkte në rajon ranë me 45 për qind. Mundësia e rikuperimit këtë vit është “e vogël në shumicën e sektorëve”, me përjashtim të IT-së dhe energjisë”, shkruan Olga Pindyuk në raportin e Institutit të Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare (WIIW).

Në një kohë që studiuesja përshkruan situatën aktuale dhe të ardhmen e afërt, kolegu i saj i WIIW, Branimir Jovanoviq shqyrton potencialin afatmesëm dhe afatgjatë të Reshoring për vendet e Ballkanit Perëndimor: Kosova, Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

Jovanoviq mbështetet në sondazhet e Dhomës Gjermane të Tregtisë dhe Industrisë (DIHK) dhe Dhomave të Tregtisë Gjermane jashtë vendit, si dhe sondazhet e tij.

“Studimet tregojnë se kompanitë gjermane po mendojnë të ndryshojnë zinxhirët e tyre të furnizimit. Ballkani Perëndimor është një nga rajonet që janë një zgjedhje e natyrshme”, thotë Jovanoviq.

Pandemia COVID-19 pritet të zhvendos kompanitë evropiane nga Azia në Ballkanin Perëndimor
Lexo po ashtu Pandemia COVID-19 pritet të zhvendos kompanitë evropiane nga Azia në Ballkanin Perëndimor

Mundësi për vendet e Ballkanit Perëndimor

“Pagat në Ballkanin Perëndimor janë të ulëta, rajoni vlerësohet nga menaxherët gjermanë si ‘i afërt në pikëpamje kulturore’ dhe niveli i arsimit nuk është i keq”, shton ai.

Pothuajse gjysma e të gjitha ndërmarrjeve gjermane me biznes në botën e jashtme kishin probleme me zinxhirin e furnizimit ose logjistikën që nga fillimi i pandemisë, sipas një sondazhi të DIHK-së në 2,400 ndërmarrje. Dy të tretat e tyre po planifikojnë të ndryshojnë zinxhirët e tyre të furnizimit.

Sidoqoftë është e diskutueshme nëse planet do të zbatohen me të vërtetë – dhe nëse diçka do të pikojë për vendet e Ballkanit Perëndimor. Jovanoviq mendon se kjo ka të ngjarë sepse vendet janë kaq të vogla.

“Mjafton që të vendosin për këtë disa kompani gjermane. Aktualisht vetëm rreth një përqind e të gjitha investimeve të drejtpërdrejta gjermane jashtë vendit derdhen në Ballkanin Perëndimor. Çdo ndryshim këtu do të kishte një ndikim të madh”, thotë ekonomisti.

E njëjta gjë vlen për kompanitë nga vendet e tjera, sepse Gjermania nuk është as investitori më i madh në rajon.

“Por”e madhe

Sipas Jovanoviqit, megjithatë, perspektiva e më shumë investimeve nga jashtë është e lidhur me një kusht të rëndësishëm.

“Qeveritë në rajon duhet të bëjnë detyrat e shtëpisë, nëse duan të përfitojnë nga tendencat pozitive që mund të materializohen pas pandemisë së koronavirusit”, tregon Jovanoviq.

Sidomos kur bëhet fjalë për qeverisjen e mirë, vendet e Ballkanit marrin nota të ulëta në një krahasim evropian. Korrupsioni dhe mungesa e sigurisë ligjore i pengon investitorët.

“Po të mos bëjnë asgjë tani qeveritë dhe thjesht vazhdojnë si më parë, atëherë i gjithë potenciali do të mbetet i pashfrytëzuar”, thotë ekonomisti.

Ai gjithashtu kritikon strategjinë e mëparshme të shumicës së shteteve të Ballkanit për të propaganduar në veçanti pagat dhe taksat e ulëta.

“Investitorëve nuk u intereson vetëm kjo. Ata duan edhe cilësi. Dhe kjo përfshin një fuqi punëtore të trajnuar mirë, si dhe institucione dhe infrastrukturë funksionuese”, thotë Jovanoviçi.

Veproni së bashku

Serbia ka bërë këtu disa gjëra më mirë, sesa vendet e tjera në rajon dhe për këtë arsye ka tërhequr edhe investime në sektorin e prodhimit. Paratë madje edhe nga Kina.

Sidoqoftë, vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të përqendrohen më pak në konkurrencën midis vendeve dhe në vend të kësaj ta shohin veten si një rajon.

“Prodhimi i kombinuar ekonomik i gjashtë vendeve të Ballkanit aktualisht korrespondon me prodhimin e brendshëm bruto të Sllovakisë. Së bashku ata do të ishin më të fortë – dhe gjithashtu më interesantë për investitorët. Po do të kishte më shumë bashkëpunim dhe një strategji për të gjithë rajonin, aty mund të tërheqshin kompani më të mira dhe më të mëdha, të cilat atëherë do të ishin aktive jo vetëm në një vend, por përtej kufijve”, shprehet ai.

Studiuesi i WIIW-së, i cili është vetë nga Ballkani Perëndimor, është skeptik se kushtet në rajon do të përmirësohen me të vërtetë. Por ai shpreson që mundësitë e paraqitura nga një ndryshim i mundshëm në zinxhirët e furnizimit të paktën do ta bëjnë ndryshimin më të mundshëm. /Deutsche Welle/