Lutfi Dalipi, 20-vjeçari që po çmend të gjithë në Zvicër: Katër gola e shtatë asistime bëjnë që ta kontaktojë edhe Portugalia

Edhe një tjetër yll nga Kosova ka fituar vëmendjen në Zvicër. Këtë herë bëhet fjalë për sulmuesin e Vaduzit, Lutfi Dalipi.
Dalipi është huazim te skuadra zvicerane nga Young Boys dhe në ndeshjet e para të këtij sezoni padyshim ka qenë ylli i skuadrës, ku përpos paraqitjeve fantastike ka kontribuar mjaftueshëm edhe me gola e asistime.
Në vetëm 10 paraqitje, Dalipi ka arritur të shënojë katër gola dhe të dhurojë shtatë asistime në proces. Pra. Bëhet fjalë për ndeshjet e elitës zvicerane dhe kualifikueset për Ligën e Konferencës.
Ai e ka fituar vendin e titullarit në pozitën e numrit 10, megjithatë ka pasur raste që edhe është përdorur si sulmues i krahut të djathtë, gjë që do ta bënte një opsion mjaft serioz edhe për Kosovën.

Ka të drejtë të luajë për katër kombëtare
Në aspektin ndërkombëtar, Dalipi përfaqëson Zvicrën ngase ka lindur në Riaz, duke luajtur kështu për grupmoshat U18 dhe U20. Por, ajo që e bënë edhe më interesant këtë lojtar është se ka të drejtë të luajë për disa kombëtare.
Pra, Zvicra të cilën e përfaqëson aktualisht. Babai i tij është nga Kosova, gjë që e bënë të hapur mundësinë për të përfaqësuar fanellën dardane. Duke qenë shqiptar, ka të drejtë të luajë për Shqipërinë, ndërsa edhe për Portugalinë, pasi nëna e tij është portugeze.
Në bazë të raportimeve të mediave zvicerane, Federata Portugeze tashmë ka zhvilluar kontaktet e para me lojtarin, por aktualisht është e paqartë vendimi i tij për të ardhmen në nivelin ndërkombëtar./Telegrafi/










































