Mesfushori i Kosovës U21, Faton Ademi, ka bërë një hap të madh në karrierën e tij, duke u transferuar te Greuther Fürth.

Klubi gjerman ka zyrtarizuar transferimin e 20-vjeçarit nga Alemannia Aachen, ndërsa Ademi ka nënshkruar kontratë deri në vitin 2029, me mundësi vazhdimi edhe për një sezon tjetër, duke paguar mbi 1 milion euro për kartonin e tij.


Ademi konsiderohet një nga talentet në ngritje të futbollit kosovar. Ai debutoi në Ligën e Tretë të Gjermanisë dy vite më parë dhe nga sezoni i kaluar u shndërrua në një nga lojtarët e rëndësishëm të ekipit të parë të Alemannia Aachen.


Në total, mesfushori ka zhvilluar 41 paraqitje në kategorinë e tretë të futbollit gjerman, duke realizuar shtatë gola dhe duke dhuruar dy asistime.

Ademi është shprehur i lumtur për hapin e ri në karrierën e tij, duke theksuar se ka ndier përkushtimin e madh të drejtuesve të klubit për ta transferuar.

“Fürth është përpjekur prej kohësh për mua. E kam ndier se sa shumë përpjekje kanë bërë drejtuesit për të më sjellë këtu. Kjo më jep një ndjenjë shumë të mirë dhe shumë motivim për të vazhduar zhvillimin tim dhe për të dhënë të gjithë energjinë për ekipin dhe klubin”, ka deklaruar Ademi.


20-vjeçari është aktualisht pjesë e Përfaqësueses së Kosovës U21, ndërsa transferimi te Greuther Fürth paraqet një tjetër hap të rëndësishëm në rrugëtimin e tij.

Ademi pritet të nisë menjëherë punën me skuadrën e re dhe do të mbajë fanellën me numrin 37 te Greuther Fürth. /Telegrafi/

telegrafi sport app