Deputetja e LDK-së, Ymeri: Kurti është argat i mafisë energjetike, nuk e votoj zgjatjen e pushtetit të tij

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Janina Ymeri ka reaguar pas deklaratës së kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku, lidhur me qëndrimin e saj për votimin e kandidatit për president.
Përmes një deklarate, Ymeri ka bërë të ditur se nuk do ta votojë zgjatjen e pushtetit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke e kritikuar ashpër qeverisjen e tij.
“Një kryeministër si Albin Kurti është argat i mafisë energjetike. Edhe sot, me gjithë pasojat për pozitën time brenda partisë, vendos të mos e votoj zgjatjen e pushtetit të tij”, ka deklaruar Ymeri.
Ajo e ka cilësuar pushtetin e Kurtit si të komprometuar dhe antikombëtar.
Ndërsa sa i përket kandidatit për president, Ymeri ka thënë se ai, sipas saj, nuk kishte profilin dhe pavarësinë e nevojshme për të krijuar balancë të pushteteve.
“Kandidati për President, në anën tjetër, nuk kishte as profil e as pavarësi që të sillte balancë pushteti dhe forcë ndaj kapjes nga Vetëvendosja”, ka shkruar ajo.
Ymeri ka theksuar se shpresat për një të ardhme më të mirë lidhen me vendimet që merren në momente të rëndësishme politike.
“Shpresë ka kur njerëzit vendosin për një të ardhme më të mirë, dhe kjo ditë duhet të jetë e tillë”, ka thënë ajo.
Në fund, deputetja e LDK-së ka deklaruar se qëndrimi i saj mbetet i lidhur me partinë dhe Republikën e Kosovës.
“Do të qëndrojmë për Lidhjen Demokratike të Kosovës. Për Republikën tonë”, ka përfunduar Ymeri. /Telegrafi/






































