Osmani: Kandidatura e Sejdiut i bën nder Republikës, kemi vendosur interesin e Kosovës mbi atë partiak

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, ka vlerësuar kandidaturën e Bekim Sejdiut për president të Kosovës, duke thënë se ajo përmbush kriteret e përcaktuara nga LDK-ja dhe i shërben mbrojtjes së demokracisë.
Osmani ka folur para mbledhjes së Grupit Parlamentar të LDK-së, ku pritet të diskutohet kandidatura e Sejdiut.
Ajo tha se LDK-ja, përmes marrëveshjes për kandidatin konsensual, ka vendosur interesin e Kosovës para atij partiak.
“Kandidatura e Bekim Sejdiut i bën nder gjithë Republikës së Kosovës, jo vetëm që plotëson të gjitha kriteret për të cilat ne i kemi vendosur unanimisht në mbledhjen e fundit të grupit parlamentar, jo vetëm që respekton vendimin e fundit të Kuvendit të LDK-së, por në të njëjtën kohë i jep Kosovës një mundësi për punë të rëndësishme të mbrojtjes së demokracisë”, tha Osmani.
Sipas Osmanit, vendimi për mbështetjen e kandidaturës së Sejdiut paraqet një kompromis në interes të vendit.
“Ne kemi bërë një kompromis duke vendosur gjithmonë interesin e Kosovës para çdo interesi individual apo partiak”, u shpreh ajo.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, janë pajtuar një ditë më parë për Bekim Sejdiun si kandidat konsensual për president të Kosovës. /Telegrafi/





































