LAJMI I FUNDIT:

Enveri në Pashaliman, 40 ditë pasi u dëbuan rusët

Enveri në Pashaliman, 40 ditë pasi u dëbuan rusët

Për 35-vjet me radhë, ajo ka qenë një bazë misterioze, dhe të paktë ishin njerëzit që e njihnin fuqinë e saj. Në bankinat e betonit akustoheshin nëndetëset, gjuajtëset detare dhe dragaminat. Nga kantieri vazhdimisht lëshoheshin anije luftarake të bëra remont, për t’u lënë vendin të tjerave që do të ngjiteshin me shpejtësi për të marrë ndihmën teknike dhe për t’u vënë në gatishmëri. Ndërsa, më tej, në një vend që vazhdon të quhet “Shkolla e Marinës”, instruktoheshin detarët e rinj, radistët, sinjalistët, motoristët, akustikët, elektricistët, timonierët dhe artiljerët...

Më 6 qershor të vitit 1961, Baza Detare e Pashalimanit do të gdhihej pa këmbë ushtari të huaj. Ndërsa, Kapiteni i Rangut të Parë, Selim Pira, i cili në ato vite ka qenë komisari i nëndetëses së parë shqiptare, ku komandant ishte Dashamir Ohri, rrëfen se për një vit rresht, baza ishte në gatishmëri të lartë.

“Objektivi kryesor që na ishte vënë ishte që të katër nëndetëset me ekuipazh shqiptar të mos dorëzoheshin në asnjë mënyrë në dorë të sovjetikëve. Natyrisht, marrja e të gjitha nëndetëseve ishte dhe objektivi kryesor i komandës sovjetike. Atëherë ne dolëm me parullën: ‘Të vdesim të tërë, nëndetëset nuk i lëmë’. Në situatën e krijuar, në Pashaliman emërohet si komandant i plotfuqishëm, gjeneral Hito Çako. Zyra e gjeneralit shqiptar ishte një nga dhomat e Bazës Lundruese. Në këtë mënyrë ai nuk shkëputej asnjë çast nga pjesa më dominuese e Bazës. Kujtoj se për shkak të detyrës, mua më duhej shpesh të shkoja në Bazën Lundruese, ku raportoja për komandantin e plotfuqishëm. Me cilësinë e Komandantit të Përgjithshëm, Enver Hoxha merrte çdo 3-4 orë në telefon dhe informohej për situatën direkt nga Hito Çako. Në bazë të informacioneve jepte dhe udhëzimet e përshtatshme”, thotë ai në një intervistë për ditoren Shekulli.


Sipas tij, kur sovjetikët e kuptuan se e kishin të vështirë të rrëmbenin nëndetëset, filluan të dëmtonin pajisjet. Rusët – marinarë e kuadro – dëmtuan stacionet e akustikës e lokacionit, zbërthenin pjesë dhe i hidhnin në det, dëmtonin motorët e aparaturat elektrike. Ndërsa, të gjitha këto bëheshin fshehurazi.

“Sapo u diktuan nga shqiptarët edhe kundërpërgjigja ishte e menjëhershme. Shumë shpejti katër nëndetëset u pajisën vetëm me ekuipazh shqiptar. Edhe pala sovjetike u detyrua të qëndronte në radë, në bazën e tyre ujore ‘Katelnikov’ dhe jo në bazën e Pashalimanit. Po në det qëndronte dhe admirali Igorov. Ndërsa, nga Deti i Zi erdhën në afërsi të Gjirit të Vlorës anije mbiujëse me ushtarë sovjetikë, që qëndronin në gatishmëri. Këto forca drejtoheshin nga admirali Kazatanov”, rrëfen Pira.

Fundi i qëndrimit të trupave sovjetike në gjirin e Vlorës ndodhi deri në çastin kur erdhi anija transportuese “Saturni”, e cila mori të gjitha familjet që ishin të vendosura në qytetin e Orikumit. Por, edhe pse situata ishte e ndezur, komisari i Brigadës së Nëndetëseve, Pal Sarapuli, shkoi për t’i përcjellë sovjetikët, duke u thënë: “Ishte politika e Khrushchevit ajo që i solli punët në këtë mënyrë. Ndërsa shqiptarët, ashtu siç u pritën me lule, ashtu dhe do t’ju përcjellin. Sepse, në fund të fundit, kjo është tradita vendase. Ne vetëm armikut i japim plumbin ballit”.

“Mbas largimit të sovjetikëve nga Baza Detare e Vlorës, në Pashaliman bën një vizitë dhe Sekretari i Parë i KQ, Enver Hoxha. Ndërsa kryeministri, Mehmet Shehu, ishte përballur në një fjalim plot nerv gjatë kohës që në Bazë ndodheshin edhe trupat ushtarake të Bashkimit Sovjetik, Enver Hoxha gjeti mundësinë për të vizituar këtë Bazë pikërisht kur ajo ishte çliruar nga tensioni. Sekretari i Parë i KQ të PPSH-së, Enver Hoxha, mbërriti për një vizitë në Orikum, vetëm 40 ditë pasi nga baza ushtarako-detare e Pashalimanit ishte larguar dhe marinari e fundit sovjetik. Rusët nuk ishin më në bazë, por nuk ishin gjithashtu dhe një pjesë e anijeve që ata i ishin marrë me vete. Megjithatë, Enver Hoxha mbajti një fjalim ku ngriti lart moralin e oficerëve dhe marinarëve të bazës”.

Mitingu u zhvillua në ambientet e Bazës Lundruese, e cila në atë kohë përdorej për imbarkimin e marinarëve. Por, më pas kjo anije e madhe u adoptua si një anije transporti e flotës tregtare. Pira mban mend që në këtë fjalim Enver Hoxha është shprehur: “Mos mendoni se jemi më të fuqishëm se Bashkimi Sovjetit apo Shtete e Bashkuara të Amerikës. Kurrë. Por me katër nëndetëset që kemi dhe anijet e tjera gjithashtu, ne jemi plotësisht në gjendje që të mbrojmë kufijtë detar të Shqipërisë”.

“Komandanti i Përgjithshëm foli përpara kuadrove dhe marinarëve, jo pak, por dy orë rresht. Gjatë këtij fjalimi të gjatë, Enver Hoxha falënderoi efektivin e bazës së Pashalimanit për zbatimin e të gjitha detyrave të dhëna. Në entuziazmin e tij Enver Hoxha i cilësoi kuadrot e marinarët si atdhetarë e patriotë të vërtetë, në mbrojtje të kufijve shqiptarë. Ai tha se ekuipazhet shqiptare, falë zgjuarsisë dhe maturisë së tyre, kishin kaluar situata mjaft të vështira. ‘Por, dhe Partia e Qeveria, megjithëse ishin në Tiranë, mendjen e kishin pikërisht këtu, në Pashaliman’, u shpreh mes të tjerash Enver Hoxha”.

Enver Hoxha falënderoi kuadrot, por më shumë foli për marinarët, që sipas tij, u treguan komisarë të vërtetë e sypatrembur karshi sovjetikëve.

“Ashtu si partizanët heroikë në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, ashtu dhe ju vazhduat rrugën e tyre. Ju lumtë, ju lumtë, ju lumtë!”, ka thirrur tri herë Enver Hoxha para efektivit të bazës, duke marrë njëherësh dhe një furi duartrokitjesh e brohoritjesh.

“Nga ajo që vazhdon të mbaj mend 52 vite më pas, në fund të fjalimit të tij, Enver Hoxha është shprehur: ‘Kam besim të palëkundur se me dituri e shkollim, por dhe me eksperiencën që keni fituar, ju do ta ndërtoni Bazën e Pashalimanit dhe me flamurin e Skënderbeut e të Ismail Qemalit, nëndetëset e Flotës Luftarako-Detare të Shqipërisë do të jenë garanci e sigurimit të kufirit detar’. Më pas, Enver Hoxha bëri në vizitë në ambientet e bazës, e cila deri në çastin e shkëputjes së trupave sovjetike, cilësohej si ‘Baza më e madhe ushtarakodetare e Mesdheut’”, shprehet Pira.

Që prej vizitës së Sekretarit të Parë të KQ të BRSS, Nikita Khrushchevit, në Shqipëri, baza detare e Pashalimanit do të bëhej një mollë sherri mes dy vendeve. Për më shumë se një vit, gjendja në bazë do të karakterizohej nga një tension, që herë mbahej brenda e herë shpërthente dukshëm. Të gjitha incidentet mbaheshin shënim dhe raportoheshin deri në instancat më të larta të shtetit. Selim Pira thotë se për shkak të situatës, bateritë e artilerisë kundërajrore dhe të armëve të tjera në Sazan dhe Karaburun, mbaheshin në gatishmëri të plotë. Po me ndjenjën e gatishmërisë jetonin dhe të gjitha familjet e oficerëve, që ishin strehuar në qytetin e vogël të Orikumit.

Vitet ‘59-‘60 do të tregonin se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik kishin marrë një të çarë të pariparueshme. Për herë të parë për marrëdhëniet e tensionuara të shtetit shqiptar dhe Bashkimit Sovjetik, mes kuadrove kryesorë të bazës ushtarako-detare të Pashalimanit është marrë vesh kur ata janë informuar nga një material i KQ, i cili bënte fjalë për konfliktet e hapura të PK kineze me PK të Bashkimit Sovjetik. Në këtë debat, Partia e Punës e Shqipërisë merrte në mbrojtje palën kineze. Ky ishte një material i rezervuar e tepër sekret, me të cilën ishin njohur vetëm sekretarët e parë të rretheve, si dhe drejtuesit e lartë të Bazës ushtarako-detare të Pashalimanit, me të vetmen arsye se në këtë bazë kishte trupa ushtarake të Bashkimit Sovjetik.

Nikita Khrushchev, Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu, në Pashaliman (1959)

Pas ikjes së sovjetikëve nga baza e Pashalimanit, detyrë kryesore doli mirëmbajtja e teknikës luftarake. Ish komisari i nëndetëses së parë shqiptare, Selim Pira, tregon se një pjesë e aparaturave të cilat marinarët sovjetikë i kishin hedhur në ujë, u nxorën me palombarë për t’u rimontuar në vendet e tyre. Por, defekte kishin edhe sistemet e akustikës dhe të lokacionit. Sovjetikët kishin përfituar për të dëmtuar një pjesë të tyre. Megjithatë, çdo gjë do të shkonte në vend.

Pira shprehet se Brigada e Nëndetëseve i ka kryer më së miri të gjitha detyrat e ngarkuara në vite. Por, ai shpreh pakënaqësinë e theksuar që një investim kaq i madh, siç ishin katër nëndetëset shqiptare, të shkatërroheshin. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Gazeta ukrainase: Pse vendimi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Kosovën është humbje historike për Serbinë

Gazeta ukrainase: Pse vendimi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Kosovën është humbje historike për Serbinë

Lajme
Policia serbe e dërgon në paraburgim mërgimtarin nga Gjakova që e arrestoi në kufi

Policia serbe e dërgon në paraburgim mërgimtarin nga Gjakova që e arrestoi në kufi

Siguri
Arrestimi i zv.drejtorit të Policisë së Kosovës, analistët në Beograd:

Arrestimi i zv.drejtorit të Policisë së Kosovës, analistët në Beograd: "Shfaqja e muskujve" nga Vuçiqi

Lajme
Maltretimi i kosovarëve në Serbi, eurodeputetja holandeze i reagon Vuçiqit

Maltretimi i kosovarëve në Serbi, eurodeputetja holandeze i reagon Vuçiqit

Lajme
U arrestua nga Serbia, lirohet zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës

U arrestua nga Serbia, lirohet zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës

Lajme
Maqedonci ngre alarmin: Tensionet vazhdojnë, Serbia nesër do të testojë dronë kamikazë në kufi me Kosovën

Maqedonci ngre alarmin: Tensionet vazhdojnë, Serbia nesër do të testojë dronë kamikazë në kufi me Kosovën

Siguri
Kalo në kategori