eksperti-banner

Emma Heming Willis, bashkëshortja e aktorit të Hollivudit Bruce Willis, foli për gjendjen e tij shëndetësore dhe sqaroi një nga keqkuptimet më të zakonshme që lidhen me demencën frontotemporale (FTD), një sëmundje nga e cila vuan aktori i famshëm.

Në një paraqitje si e ftuar në podkastin "The Bossticks", Emma shpjegoi se ky lloj demence nuk lidhet kryesisht me humbjen e kujtesës, siç mendojnë shpesh shumë njerëz.


"Demenca frontotemporale ka tre variante të ndryshme. Sëmundja e Bruce-it ndikon në të folur, ndërsa dy të tjerat mund të shkaktojnë ndryshime në sjellje ose probleme me lëvizjen", tha Emma.

Ajo shtoi se gjendja e Bruce nuk ka të bëjë me humbjen e kujtesës, por më tepër me një çrregullim që prek lobet frontale dhe temporale të trurit.

"Kur njerëzit më pyesin nëse më kujton, përgjigjja është po. Bruce nuk vuan nga sëmundja e Alzheimerit, ai vuan nga demenca frontotemporale dhe i njeh njerëzit që i do", tha ajo.

Ajo theksoi se është gabim që çdo demencë të shoqërohet ekskluzivisht me problemet e kujtesës.

"Mendoj se është një keqkuptim shumë i zakonshëm. Sapo përmendet demenca, shumica e njerëzve menjëherë mendojnë për humbjen e kujtesës", tha Emma.

Ajo tha se Bruce ende i njeh anëtarët e familjes së tij, përfshirë të pesë vajzat. Ajo gjithashtu kujtoi se demenca frontotemporale është e ndryshme nga sëmundja e Alzheimerit, e cila është forma më e zakonshme e demencës.

Familja e Willis foli publikisht për herë të parë për gjendjen e tij shëndetësore në mars të vitit 2022, kur u njoftua se aktori po tërhiqej nga aktrimi pasi u diagnostikua me afazi, një çrregullim që ndikon në aftësinë për të folur dhe komunikuar.

Një vit më vonë, familja njoftoi se Bruce ishte diagnostikuar me demencë frontotemporale.

"Ndërsa kjo është e dhimbshme për ne, ndiejmë gjithashtu njëfarë lehtësimi që më në fund kemi një diagnozë të qartë", thanë në një deklaratë të përbashkët Emma Heming Willis, ish-gruaja e Bruce, Demi Moore, dhe pesë vajzat e tyre.

Me atë rast, ata theksuan se kjo është një sëmundje serioze për të cilën ende nuk flitet mjaftueshëm.

"Demenca frontotemporale është një sëmundje mizore për të cilën shumë njerëz nuk kanë dëgjuar kurrë dhe mund të prekë këdo. Është forma më e zakonshme e demencës tek njerëzit nën moshën 60 vjeç dhe, duke qenë se diagnoza shpesh zgjat me vite, ndoshta është shumë më e përhapur nga sa supozohet aktualisht", thanë ata.

Familja theksoi gjithashtu se aktualisht nuk ka kurë për këtë sëmundje, por se shpresojnë që hulumtimet e ardhshme do të sjellin përparime në trajtim.

Bruce Willis jeton sot në pension dhe gruaja e tij Emma foli më parë rreth rëndësisë së rritjes së ndërgjegjësimit për demencën frontotemporale dhe ofrimit të mbështetjes për pacientët dhe familjet e tyre. /Telegrafi/