LAJMI I FUNDIT:

Ekspertët e sigurisë fajësojnë Vuçiqin dhe Vulinin për vrasjen e policit në veri

Ekspertët e sigurisë fajësojnë Vuçiqin dhe Vulinin për vrasjen e policit në veri

Policia e Kosovës është sulmuar me armë zjarri mëngjesin e sotëm në veri, ku një polic u vra dhe një tjetër ka mbetur i plagosur.

Lidhur me rastin ka pasur reagime të shumta, ndërsa krerët e shtetit kërkuan nga SHBA dhe BE të ndërmarrin masa, transmeton Telegrafi.


Drejtori i Institutit Octopus, Agim Musliu ka thënë se këto zhvillime i kishte lajmëruar presidenti Vuçiq.

“Serbia ka sulmuar Kosovën! Në pritë organizuar paraushtarake serbe, u vra një pjesëtar i Policisë së Kosovës! Reagimin e pat lajmëruar vet Vuçiqi! E arritur e Putinit – dështim i Perëndimit”, ka shkruar Musliu.

Kurse, eksperti i sigurisë, Burim Ramadani në reagimin e tij në Facebook ka shkruar se përgjegjës për situatën janë Aleksandar Vuçiq dhe Aleksandar Vulin.

“Dy Aleksandart janë përgjegjës për tentimet e destabilizimit në Ballkan: Aleksandar Vuçiq dhe Aleksandar Vulin. Të dy janë promovues të politikave të Millosheviqit, në synimin për Serbinë e Madhe apo Botën Serbe.Vulin është futur në Listë të Zezë, njëjtë pres të të ndodh edhe me Vuçiqin. Ndërkohë, Kosova duhet të rikthehet në planifikim dhe mendim strategjik”, thotë ai.

Tutje, Ramandai ka shkruar se “pas shumë muajve të gjendjes së tensionuar në komunat në veri të Kosovës, lidershipi i Kosovës duhet të qartësojë hapat strategjik në vazhdim me vendime shtetërore”.

“Sulmi i sotëm kriminal me armë të rënda nga formacione para-ushtarake serbe duhet të jetë momenti kur gjithçka vendoset nën Kushtetutshmërinë e Kosovës, në bashkërendim me praninë ndërkombëtare ushtarake të udhëhequr nga NATO. Përkatësisht, NATO të ndihmojë Kosovën në shtrirjen e Kushtetutshmërisë dhe rendit e ligjit. Pa opsione neutraliteti nga mekanizma ndërkombëtarë.
Nuk duhet dhe nuk mund të ketë neutralitet në situata të këtilla të qarta, ku shteti i Kosovës sfidohet nga formacione para-ushtarake serbe”, pohon Ramadani.

Sulmohet me arsenal armësh policia në veri, mbetet i vrarë një rreshter
Lexo po ashtu Sulmohet me arsenal armësh policia në veri, mbetet i vrarë një rreshter

Ndryshe, Policia e Kosovës u sulmua me armë mëngjesin e sotëm në fshatin Banjskë, të Leposaviqit.

“Gjatë realizimit të detyrave policore, sot rreth orës 02:34 në Mitrovicë Veri, njësia për ndërhyrje të shpejtë e policisë kufitare ka vërejtur se në hyrje të fshatit Bajnskë, në urë janë vendosur dy mjetet të rënda kamion (pa targa) dhe hyrja në këtë fshat përmes urës nuk mund të bëhet, pasi e njëjta është bllokuar.

Njësitë e rendit të Stacionit Policor Zveqan, pas pranimit të informacionit i janë përgjigjur rastit dhe janë nisur me tri njësi në drejtim të lokacionit dhe posa kanë mbërri në afërsi të vendit ku është raportuar bllokada, njësitë policore kanë hasur në rezistencë ku nga disa pozicione të ndryshme janë gjuajtur me arsenal armësh të zjarrit, përfshirë këtu edhe me granata dore dhe zollë, ku si pasojë e gjuajtjeve janë qëlluar me armë zjarri dy zyrtarë policorë”, njoftoi Policia. /Telegrafi/