LAJMI I FUNDIT:

Ekonomia e Britanisë së Madhe, më e goditura në mesin e G7-së

Ekonomia e Britanisë së Madhe, më e goditura në mesin e G7-së

Kriza botërore e energjisë do ta godasë ekonominë e Britanisë Madhe më shumë sesa ato të shteteve tjera të fuqishme në botë, ka thënë Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD).

Sipas raportit të saj më të ri, në krahasim me vendet tjera që përbëjnë grupin e shtatë shteteve më të industrializuara (G7), ekonomia britanike do të jetë më e goditura.


Rritja ekonomike në Shtetet e Bashkuara dhe Eurozonë do të jetë e zbehtë, mirëpo Gjermania është shteti tjetër i fuqishëm, të cilit pritet t’i tkurret ekonomia.

OECD ka parashikuar “ngadalësim të konsiderueshëm të rritjes ekonomike” në gjithë botën më 2023. Pra, rritja në nivel botëro pritet të jetë 2.2 për qind.

Organizata ka vlerësuar se skema britanike për mbështetje të qytetarëve për të paguar faturat e energjisë, është fajtore për një situatë të tillë ekonomike.

Sipas saj, ndonëse ndarja e subvencioneve zvogëlon rritjen e menjëhershme të inflacionit, megjithatë presioni për një rritje të tillë bartet në periudhë afatmesme.

Rritja e kërkesës për produkte dhe shërbime tjera, pas heqjes së masave kufizuese për luftim të pandemisë COVID-19 dhe lufta e Rusisë në Ukrainë, besohet se janë dy shkaqet kyçe që kanë ndikuar në rritje të inflacionit në shumë vende të botës.

Disa organizata botërore kanë paralajmëruar se bota mund të përballet recesion ekonomik botëror më 2023. /REL/Telegrafi/