LAJMI I FUNDIT:

Edhe dy stacione deri në Evropë

Edhe dy stacione deri në Evropë

Komisioni Evropian dje ka publikuar rekomandimin pozitiv për liberalizimin e vizave për Kosovën. Me këtë rekomandim kanë mbetur edhe dy “stacione” deri te heqja e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Tani mbetet që Parlamenti Evropian dhe Këshilli i Ministrave ta mbështesin liberalizimin për Kosovën.

Komisioni Evropian (KE) të mërkurën ka publikuar rekomandimin për liberalizimin e vizave për Kosovën, përmes së cilit ka konfirmuar përmbushjen e dy kritereve të fundit në këtë proces, ratifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi dhe luftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit.


Komisionari për Migrim, Çështje të Brendshme dhe Shtetësi i Bashkimit Evropian, Dimitris Avramopoulos, ka kumtuar lajmin pozitiv dje, duke bërë të ditur se Kosova e ka plotësuar edhe kriterin e 95-të për heqjen e regjimit të vizave, shkruan “Zëri”.

Duke uruar Kosovën, Avramopolus u ka bërë thirrje Parlamentit Evropian (PE) dhe Këshillit të Ministrave që të lëvizin në këtë drejtim dhe sa më parë të marrin vendim për heqjen e vizave.

Në anën tjetër, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi në konferencën e përbashkët që pati dje me komisionarin e BE-së e ka cilësuar si moment historik për Kosovën dhënien e rekomandimit për vizat.

Menjëherë pas publikimit të rekomandimit janë deklaruar edhe krerët e tjerë institucionalë në Kosovë, të cilët kanë konsideruar se Kosova e ka merituar një lajm të tillë.

Ndërkaq përfaqësuesit e opozitës kanë thënë se procesi i liberalizimit nuk ka përfunduar me ditën e djeshme.