eksperti-banner

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama reagoi ndaj votimit kundër të Parlamentit Evropian të amendamentit të propozuar nga disa eurodeputetë të grupit të majtë parlamentar kundër ndërtimit të resortit në Zvërnec.

Rama theksoi se Evropa përmes parlamentit të saj e vlerëson lart Shqipërinë.


“Ja edhe Parlamenti Europian e ndau “shapin” e stuhisë digjitale të dezinformimit nga “sheqeri” i zonës së mbrojtur Vjosë-Nartë, e cila nuk ka asnjë lidhje me zhvillimin që europarlamentarët e rrëzuar me votën e shumicës dërrmuese, futën qorrazi si amendament të rezolutës për Shqipërinë”, shkruan Rama.

Tani, theksoi kreu i qeverisë, “o është çmendur dhe korruptuar krejt Europa, që përmes Parlamentit të saj e vlerëson lart Shqipërinë dhe nxit anëtarësimin tonë sa më parë në BE, o ka diçka që nuk shkon me ata që e nisën protestën e javëve të fundit me mbrojtjen e flamingove dhe po e bitisin si luftë për pushtet në emër të flamingove!”.

“Në çdo rast flamingot do të mbrohen, Vjosë-Narta do të mbrohet, Zvërneci do të zhvillohet bazuar në një Vlerësim të Ndikimit në Mjedis sipas standardeve të Bashkimit Europian dhe ne do të vazhdojmë ta ngjisim Shqipërinë në majën ku ndodhet shtëpia e Europës së Bashkuar”, shkruan Rama.

Parlamenti Europian ka rrëzuar sot amendamentin e propozuar nga disa eurodeputetë të grupit të majtë parlamentar kundër ndërtimit të resortit në Zvërnec.

Ky amendament u paraqit një ditë më parë nga eurodeputetja Ilaria Salis, gjatë diskutimeve në PE për raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë.

Në amendamentin e tyre, eurodeputetët kërkonin shfuqizimin e ndryshimeve në Ligjin për Zonat e Mbrojtura në vitin 2024, të cilat, sipas tyre, lejojnë zhvillimin e infrastrukturës turistike në shkallë të gjerë brenda zonave të mbrojtura dhe transferojnë kompetenca kyçe të qeverisjes dhe vendimmarrjes te Këshilli Kombëtar i Territorit, duke dobësuar kështu kontrollin në mjedis.

Ndërsa në Amendamentin 17 që u miratua sot gjatë votimit të Rezolutës vjetore për Shqipërinë në Parlamentin Europian thuhet se:

Shpreh shqetësim serioz se zhvillimet e vazhdueshme brenda zonës së mbrojtur Vjosë-Nartë demonstrojnë pasojat praktike të këtyre ndryshimeve legjislative dhe rreziqet që vijnë si pasojë e tyre për zonat me vlerë të njohur ekologjike; ndjek nga afër protestat masive paqësore që po zhvillohen në këtë drejtim; u bën thirrje autoriteteve shqiptare që të vendosin menjëherë një moratorium për të gjitha procedurat e reja të lejeve, punimet e ndërtimit dhe ndërhyrjet zhvillimore brenda zonave të mbrojtura derisa të ndryshojnë dispozitat e papajtueshme të Ligjit të ndryshuar për Zonat e Mbrojtura, në bazë të një kërkese të hershme nga Komisioni dhe Parlamenti dhe në përputhje me standardet përmbyllëse të Kapitullit 27, dhe derisa të sigurohet përputhshmëria e plotë me standardet e BE-së për mbrojtjen e natyrës; nënvizon se çdo projekt në këtë fushë duhet t’i nënshtrohet vlerësimeve gjithëpërfshirëse të ndikimit në mjedis në përputhje të plotë me standardet e BE-së, duke përfshirë një proces transparent të pjesëmarrjes publike me komunitetet lokale, shkencëtarët dhe shoqërinë civile.